Kur Parisi e Londra kanë qenë të shtruara me baltë, Prizreni ka qenë i shtruar me kalldrëm

Opoja.net Opoja.net Opinione

Autor: Mirsad Kuteli

Para dhjetë vitesh, kur punoja si gazetar i gazetës ditore “Lajm” ekskluzive, shkrova një artikull për qytetin e lashtë të Prizrenit, i prekur nga ndryshimet që po ndodhnin në këtë qytet.

Në atë kohë, udhëheqja komunale e Prizrenit kishte hequr kalldrëmin nëpër rrugët kryesore të qytetit dhe e kishte zëvendësuar me asfalt, pllaka dhe kubëza, të cilat i quanin moderne, ndërsa vetëm në disa vende kishin lënë pak kalldrëm sa për të thënë. Kjo sigurisht është bërë për përfitime të dikujt që në mënyrë direkte apo indirekte ka pasur interes material, respektivisht për ta marrë tenderin për shitjen e atyre materialeve.

Kjo është vetëdije e ulët e disa personave, të cilët vetëm për përfitim të tyre, e kanë dëmtuar imazhin e Prizrenit, duke e shndërruar atë nga një qytet i lashtë, në një qytet “modern”, i cili nuk identifikohet si i tillë. Kjo për faktin se çdo vizitor, qoftë vendor apo ndërkombëtar, vjen në Prizren për të vizituar dhe për të parë monumentet kulturore, historike e arkitektonike që dëshmojnë lashtësinë e këtij qyteti.

Së fundi, edhe ndryshimet në fasadën e jashtme të “Hamamit të Prizrenit” janë indikacione të shndërrimit të Prizrenit nga një qytet i vlerave të trashëgimisë kulturore në një qytet i rëndomtë që nuk do të nxiste atraksion për vizitorët.

Shpresojmë që një praktikë e tillë të ndryshojë, dhe, ashtu sikurse në mbarë botën që kujdesen për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, historike dhe natyrore të ndodh edhe tek ne dhe njëherësh të rritet vetëdija për vlerat autoktone që posedon Kosova.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-