Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në Facebook, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, ka thënë se 1595 persona janë ende të zhdukur.
Ai është shprehur se ankthi i familjeve është i madh, pikëllimi i thellë, mirëpo tha se qëndrueshmëria e tyre është e lartë dhe ne u kemi borxh, që siç u shpreh ai, me gjithë dijen dhe mundësitë e aftësitë tona, të bëjmë gjithçka që të zbardhet fati i të pagjeturve dhe të gjendet vendndodhja e tyre.
“Në këtë betejë, përballë e kemi një shtet gjenocidal, që e mohon të kaluarën. Por ne nuk do të heshtim, e as nuk do të ndalemi së thëni të vërtetën. Në muajt e fundit të vitit 2000 dhe përgjatë vitit 2001, në varrezat masive në Batajnicë, Petrovo Selo edhe Peruqac, janë nxjerrur 900 shqiptarë, pleq, gra e fëmijë. 744 në Batajnicë, 84 në Petrovo Selo dhe 72 në Peruqac”.
“Pastaj, nuk ka pasur zhvarrime të tjera, sepse nuk ka pasur gërmime dhe, në periudhën nga viti 2010 deri në 2021, në dy varreza të tjera masive janë nxjerrur edhe 61 shqiptarë të tjerë: 54 në Rudnicë edhe 7 në Kizhevak. Pra pjesa dërmuese, afër 94 përqind të zhvarrosurve, janë në muajt e parë pas rrëzimit të regjimit të Millosheviqit dhe më pastaj nuk ka pasur vullnet në Serbi për gërmime të mëtutjeshme”.
“Sivjet janë bërë edhe 20 vjet prej se në krye të Komisionit për Persona të Zhdukur në Serbi, ndodhet Velko Odalloviq, i cili ka qenë njeriu kryesor i Millosheviqit gjatë luftës në Kosovë. Në fakt, Velko Odalloviq dhe Zoran Angjellkoviq kanë qenë dy personat kryesorë”, ka shkruar ai.
Kurti përmes këtij shkrimi, u ka bërë thirrje faktorëve ndërkombëtarë, siç tha, që ashtu siç na kanë ndihmuar së fundmi me trysni mbi Serbinë që të fillojë gërmimet në Kozhle në Sanxhak, midis Tutinit dhe Novi Pazarit, siç u shpreh ai, të bëjnë trysni mbi Beogradin që të ndërrohet vendimi, dhe sipas tij, arkiva e Brigadës së motorizuar 37 të ushtrisë jugosllave të hapet, dhe të zbardhen shumë informacione.
“Ndërkohë që sot do të duhej të ishin në bankën e të pandehurve, të ketë gjykim të drejtë për ta dhe ndëshkim të merituar, ata janë persona të privilegjuar të regjimit të Vuçiqit, ku Odalloviq udhëheq Komisionin për persona të zhdukur në Serbi, që nga viti 2004, ndërsa Angjellkoviq mban po ashtu poste të larta, si ushtrues detyre i Drejtorit të Postës së Serbisë”.
“Në këtë periudhë kohore, më saktësisht në verën e vitit 2014, pra para 10 vjetëve, arkiva e Brigadës 37 të motorizuar të ushtrisë jugosllave është klasifikuar me vendim në Serbi për 30 vjet. Pra ajo nuk do të hapet deri në vitin 2044. Në ato arkiva, ndodhet e vërteta. Kjo është dhe arsyeja pse nuk janë të qasshme. Sepse kjo brigadë ka kryer një numër të madh të masakrave në Kosovë, sidomos në rajonin e Drenicës”, ka shkruar tutje ai.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.