Kush është sot në bedër ?

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Është 17 Ramazani. Në ditën e sotme, viti i dytë hixhrij, Pejgamberi (savs) me shokët e tij i mori burimet e Bedrit. I la pas vetes, në mënyrë që politeistët mos të kishin qasje në ta dhe kështu arriti një avantazh strategjik. Në natën që pasoi, Pejgamberi (savs) bëri lutje pa pushim, Zotit të tij iu drejtua me këto fjalë: “O Zoti im, nëse nesër ky grup i besimtarëve pëson disfatë, kush do të bëjë Ty sexhde në Tokë?”

Allahu i Madhërishëm, besimtarëve ua qetësoi zemrat dhe me një shi të bekuar ua forcoi hapat. Ndërsa jobesimtarëve, edhe pse ishin më shumë, Allahu i Madhërishëm, në zemrat e tyre futi frikën, kurse besimtarëve u dha qetësi, siguri dhe besueshmëri.

Pejgamberi (savs) dhe sahabët nuk e deshën luftën, por para sfidës nuk u tërhoqën. Gjithmonë kanë bërë çdo gjë që kanë pasur mundësi, e pastaj i janë mbështetur Allahut. Këtu në Bedër, Allahu i Plotfuqishëm ju dërgoi 5000 melekë për t’i ndihmuar ata. Me qasjen e tyre ndaj obligimeve dhe me këmbënguljen e tyre në të mirë, ata merituan që Allahu i Plotfuqishëm mos t’i lë në dorën e armikut. Triumfi i besimtarëve ishte i pashmangshëm. Kush tjetër ka mundur të fitojë pos muslimanëve? Ata bënë çdo gjë që patën mundësi dhe në betejë u nisën të përgatitur për sakrificën më të madhe. Vdekja ishte më e dashur për ta se sa jeta, por nuk u vërsulen në të. Ata jetuan për Islamin, por edhe e mbrojtën atë, me jetën e tyre.

Sot, në vitin 1439 hixhrij, kur po e kujtojmë Bedrin dhe mesazhet e tij, dhe kur po i evokojmë kujtimet për betejën e madhe, në të gjitha anët në mbarë botën islame po ndodhin mbytje, vrasje, persekutime, tortura, shkatërrime, djegie, përdhunime… Vetëm Zoti e di, se sa vdesin për çdo ditë nga ata që jetojnë me shehadet në zemër. Është demoralizues fakti, kur dihet se ata vëllezërit tanë vriten poashtu nga vëllezërit tanë. Ajo që po ndodh në Siri, Irak, Libi, Jemen, Somali, Nigeri … është larg nga mesazhet e Bedrit. Asnjëri prej tyre nuk është në Bedër. Në Bedër janë përplasur dy koncepte, besimi dhe mosbesimi, tevhidi dhe politeizmi. Është përleshur rendi dhe çrregullimi, drita dhe terri. Në Bedër fjala e Allahut i është kundërvu thirrjes së shejtanit.

Të gjithë muslimanët që sot mbajnë armë dhe gjuajnë në palën tjetër, gjuajnë në muslimanë, dhe këtë e bëjnë me kushtrimin e Bedrit. E përmendin emrin e Allahut. Brohorisnin Allahu ekber (Allahu është më i madhi), por nuk janë në Bedër. Asnjë prej tyre nuk është në Bedër. Nuk janë as afër mesazheve të Bedrit. Ata në fakt, këto mesazhe fare nuk i kuptojnë. Në Badër nuk janë përballur muhaxhirët dhe ensarët, por së bashku ata luftuan kundër armikut të përbashkët. Sot po përleshën muslimanët me muslimanët, ky fis kundër atij fisi, nga kjo xhami shkohet për t’i vrarë vëllezërit në atë xhami, ndërsa armiku i përbashkët qetësisht i fërkon duart dhe kënaqet me papjekurinë tonë dhe me largimin tonë nga rruga e Pejgamberit savs.

Sot, kur nga beteja e Bedrit po i evokojmë kujtimet dhe duam që të mos i harrojmë mesazhet e saj, pyesim: KUSH ËSHTË SOT NË BEDËR???

Vëllezër, sot në Irak dhe Siri, në Bedër do të ishte ai i cili do ta bënte paqen dhe do ta vendoste rendin. Në Bedër do të ishte ai i cili refugjatët do t’i kthente në shtëpitë e tyre, ai i cili të dëmtuarit do t’i shpëtonte nga vuajtjet. Mesazh i Bedrit është arsimimi. Ne të gjithë e dimë se robërit e Bedrit ua mësuan shkrim leximin fëmijëve tanë në Medine. Bedër sot është që të arsimohen ata fëmijët tanë. Në atë Siri dhe Irak sot, kur po e kujtojmë Bedrin, 12 milionë fëmijë nuk shkojnë në shkollë. Çfarë do të na thoshte Pejgamberi (savs)? O ti që po gjuan në vëllain tënd dhe po brohorisësh Allahu ekber, a po pyesësh se çfarë do të thoshte i Dërguari? Ti po e brohorisësh emrin e Zotit, i Cili njerëzve u tha “IKRE”, ndërsa ti po vrasësh nxënës, po mbyll shkolla, po e shkatërron të ardhmen e umetit.
Të fitosh dituri dhe t’i bëhesh konkurrues armikut në çdo fushë, kjo sot është Bedër. Të shkohet në fakultet, e jo në Siri, kjo do ta gëzonte Pejgamberin tonë, ndërsa ty do të regjistronte në radhën e njerëzve pjesëmarrës të Bedrit.
Vetëm në një krahinë në Afganistan 400 000 vajza nuk i vijojnë shkollat në të cilat mësohet matematika, sociologjia, biologjia … Ato shkojnë në shkolla në të cilat mësohet vetëm Kurani. Pejgamberi (savs) dhe sahabët e tij e dinin Kuranin dhe këtë mund t’ua mësonin fëmijëve të Medinës, dhe ua mësuan. Por kjo nuk ishte e mjaftueshme. Pejgamberi (savs) i solli robërit, armiqtë e tij, që atyre fëmijëve tanë t’ua mësojnë edhe matematikën edhe biologjinë edhe gjeografinë, sepse si do të luftosh kundër armikut më të arsimuar, përveç nëse je i barabartë në çdo gjë, madje edhe më i mirë se ai. Shkolla dhe libri sot është Bedër.

Në Bedër sot në mbarë botën, edhe në vendin tonë, është ai që e hap një vend pune dhe e punëson një djalë të ri. Në Bedër sot, është ai i cili djemve dhe vajzave të reja në vendin tonë por edhe atyre në mbarë botën islame ju mundëson të martohen dhe të krijojnë familje. Në Bedër sot, është ai që bën gjithçka që veten ta sigurojë me punën e vet.

Nuk është Bedër i askujt sot, të bartësh armë mbi tokën e Sirisë, Irakut, apo Jemenit. Bedër sot, është të shkosh me plug dhe shat në dorë në arën tënde. Nga gjithë ajo tokë pjellore në luginat e Nilit, Eufratit, Tigrit, Bosnjës, Savës, Drinës, për shkak të moskuptimit të mesazheve të fesë sonë, ne jetojmë nga ndihmat e huaja.

O pasues krenar i Pejgamberit, anëtar i umetit islam, shikohu në pasqyrë dhe shiko a po e sheh Ebu Bekrin, Omerin, Osmanin, Aliun, a po i sheh muhaxhirët dhe ensarët e bashkuar nga Bedri, të cilët i shërbyen Islamit e jo armikut të tij.

Sot, kur po e kujtojmë betejën e Bedrit dhe po i evokojmë kujtimet e saj, deklarojmë: Në Bedër sot, është ai i cili këtyre njerëzve të rinj në mbarë botën ju shpjegon se çka është jeta me të vërtetë? Ai i cili ua prezanton vlerat universale dhe ua mbjell në zemrat e tyre dëshirën për të pasur sukses në të dy botët, ai është në Bedër. Ai i cili i nxjerr nga kriza e identitetit kah njohuria dhe rruga e drejtë. Ai i cili ua shpjegon atyre se nuk ke nevojë të bësh tatuazh, t’i shposh veshët, hundën dhe vetullat për të qenë i përparuar dhe i kulturuar, ai është në Bedër. Ai i cili ua shpjegon atyre se nuk është e nevojshme ta lëshosh mjekrën e t’i shkurtosh pantallonat dhe të jesh kundër traditave të popullit tënd, që të jesh në rrugën e drejtë, edhe ai është në Bedër.

Bedër sot, është ai i cili punon pa pushim për afrimin e njerëzve, për njohjen e tyre me njëri-tjetrin dhe për heqjen e frikës nga njëri-tjetri. Nuk është mision as detyrë e asnjë feje që të fut grindje mes pjesëtarëve të saj dhe të tjerëve.

Të gjithë janë aty, ashtu i mësojnë shpalljet, për të jetuar të lumtur në bindje ndaj Zotit dhe me jetën e tyre për ta merituar shpëtimin e përjetshëm.

Oj Bota islame, o umeti i Pejgamberit, shikohu në pasqyrë, shikohu thellë në vetvete. Mos i mbyll sytë! Shikoje kolonën e atyre njerëzve të viktimizuar të cilët me muaj udhëtojnë, ecin, dhe e ëndërrojnë lumturinë në rrugët e Munihut, Londrës, Parisit, Vjenës … Në atë rrugë për të shpëtuar shumë vdesin. Janë të poshtëruar, sepse askush nuk i dëshiron dhe të gjithë kufijtë para tyre mbyllën. Imagjino o vëlla musliman, ti që sot po i kujton mesazhet e Bedrit, që këta vëllezërit tanë të viktimizuar nuk po gjejnë lumturi në rrugët e Bagdadit, kryeqytet i dikurshëm i diturisë, kulturës dhe përparimit. Që këta njerëz po ikin nga rrugët e Damaskut dhe Alepit, margaritarë të qytetërimit dhe të kaluarës sonë të lavdishme. Paramendoni që ata nuk po kërkojnë lumturi në rrugët e Kajros, Amanit, Bengazit, Tripolit, ata nuk po duan të mbërrijë në Mekë dhe Medinë, por në Budapest dhe Berlin.

O umet i Pejgamberit, dil në Bedër! Kthehu tek burimet e fesë tënde dhe nga ato burime të pastra, pi dhe ushqehu me shpallje të Zotit dhe me sunet të Pejgamberit (savs), pastaj arsimohu, puno, ndërto, rregullo, merr pjesë në edukimin e fëmijëve dhe të rinjve. Në mënyrë të vendosur qëndro në mbrojtje të vlerave islame të cilat reflektohen në familje, në xhemat, në bashkësi, në harmoni, në pastërti, në drejtësi, në baraspeshën sociale … Gjithçka tjetër, sot nuk është Bedër.

O Zoti ynë, në natën para Bedrit, ashtu siç u lut Pejgamberi savs në çadrën e tij:
Na ndihmo që të ketë kush do të bëjë Ty sexhde në Tokë!, ne të lutemi, na ndihmo neve dhe na bashko që të jemi në gjendje të bëjmë sexhde në paqe. Amin!

Burimi: Izet ef. Čamdžić

Perktheu: Miftar Ajdini

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-