E bija dhjetë vjeçare, me sy që shkëlqenin nga gjallëria dhe mençuria, hyri në dhomën e nënës së saj dhe e zgjati dorën mbi tavolinë, e la mbi të një letër të shkruar nga vet ajo.
Nëna shkoi ta lexojë se çfarë shkroi e bija me shkrimin e saj të bukur. E mori letrën dhe në të e pa se shkruante:
“Fatura e llogarisë:
– Pastrimi i dhomës sime kushton një euro;
– Pastrimi i enëve të shtëpisë kushton dy euro;
– Përkujdesja ime për vëllain e vogël, kur nëna mungon, kushton tri euro; dhe
– Shpërblimi im për suksesin tim në shkollë kushton pesë euro.”
Nëna duke e shikuar vajzën e saj në sy, në ato momente i vinin nëpër mend situata të ndryshme nga e kaluara, kështu që e mori po të njëjtën letër dhe shkroi në të:
“- Bartja në bark nëntë muaj – pa të holla;
– Dhembjet e rënda dhe të egra të shtatzënisë – pa të holla;
– Një natë që e kalova për t’u përkujdesur për ty e sëmurë – pa të holla;
– Përkujdesja, pastrimi, rrobat, lojërat dhe fshirja e lotëve tua – të gjitha pa të holla.”
Ia dha letrën të bijës, e kur ajo e lexoi, u shtri në gjoksin e saj e turpëruar dhe në të njëjtën letër, poshtë gjërave të saj që i llogariti, shkroi:
“Llogaria është e paguar paraprakisht!”
Nëse nuk të pëlqen ajo që e arrin, shiko se ti çfarë ke dhënë. Atëherë kur ti e ndryshon pikëpamjen tënde për gjërat rreth teje, do të gjesh se çdo gjë përreth teje ka ndryshuar.
Nga arabishtja: Irfan JAHIU
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.