Loriana me ngritjen më të madhe në ranglistën botërore, IJF-ja thotë se Kosova vazhdon të magjepsë

Opoja.net Opoja.net Sport

Loriana Kuka ka shënuar ngritjen më të madhe në ranglistën botërore të xhudos, prej xhudistëve kosovarë. Pas turneut “Masters” në Doha të Katarit, Federata Ndërkombëtare e Xhudos ka publikuar ranglistën e re.

Loriana Kuka, që fitoi medaljen e bronztë, është ngritur në vendin e pestë në kategorinë deri 78 kilogramë. Ajo ka përparuar për plot shtatë pozita, falë vendit të tretë. Ngritja në ranglistë ishte edhe prej synimeve të xhudistëve kosovarë për “Mastersin” në Doha. “Mastersi” është garë që ofron shumë pikë për ranglistë.

Nga një pozitë kanë avancuar Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova. Majlinda fitoi të bronztën në kategorinë deri 52 kilogramë dhe tani është e pesta në këtë kategori. Nora fitoi të bronztën në kategorinë deri 57 kilogramë, kurse tani renditet e katërta në kategorinë e saj.

Distria Krasniqi, që fitoi të artën në kategorinë deri 48 kilogramë, është përforcuar në pozitën e parë dhe ka rritur distancën e pikëve me të dytën. Distria i ka 8 915 pikë, ndërsa Daria Bilodid i ka 7 195 pikë në vend të dytë. Me formën aktuale ka pak gjasa që Distria të humbë vendin e parë.

Akil Gjakova, që u rendit i shtati në kategorinë deri 73 kilogramë, nuk ka ndryshuar pozitë. Ka mbetur i dhjeti.

Pra të gjithë pesë xhudistët kosovarë janë në zonën që siguron normë olimpike dhe në pozitë shumë të favorshme.

Katër medalje nga pesë garues është bilanc që nuk ka kaluar pa marrë vëmendje. “Mastersi” është garë që mbledh vetëm xhudistët më të mirë nëpër kategori.

“Kosova vazhdon të magjepsë me katër medalje në ‘Masters’”, ka shkruar të premten sajti zyrtar i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos në një shkrim përmbyllës për ‘Mastersin’ në Doha. Natyrisht është vënë në pah roli i trajnerit Driton Kuka.

“Krahasuar me numrin e atyre që e praktikojnë xhudon në këtë shtet, pa dyshim është skuadra me vlerën më të mirë për paratë në xhudo. Puna e bërë nga kryetrajneri Driton Kuka është model i llojit të tij”, ka vazhduar IJF-ja.

Loriana Kuka është shprehur e lumtur për ngritjen në ranglistë.

“Është rezultat shumë i rëndësishëm për mua. Ka pasur shumë pikë për Olimpiadë në këtë garë. Tani jam më mirë në ranglistë dhe jam e lumtur për këtë. Luftërat në ‘Masters’ më kanë dhënë shumë vetëbesim për garat e ardhshme, duke përfshirë edhe Lojërat Olimpike”, ka thënë Loriana Kuka për KOHËN.

Ajo ka fituar 900 pikë në ranglistë, njëjtë si Majlinda e Nora. Ndërkohë Distria me të artën fitoi 1 800 pikë.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-