Mbi 23 mijë familje kosovare me ndihma sociale

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kosova

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Mirëqenies Sociale për muajin tetor të këtij viti.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, gjatë muajit tetor 2022, nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 23 mijë e 661 familje me gjithsej 93 mijë e 451 anëtarë, dhe nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar 2 mijë e 748 familje.

Ky publikim ofron të dhëna për numrin e përfituesve nga skema e ndihmës sociale, skema e pensioneve bazë të moshës, të pensioneve kontributpaguese të moshës, skemën e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara, skemën e pensioneve për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, skemën për mbështetje materiale për familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara të përhershme, skemën për pensionet familjare, skemën për pensionet invalidore, skemën e pensioneve për familjet e dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe veteranëve të luftës, skemën e pensioneve të Trepçës, skemën e pensioneve për Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të Forcës së Sigurisë së Kosovës e skemën e kompensimeve për personat e verbër.

“Ndërkaq, nga skema e pensioneve bazike të moshës janë 143 144 përfitues; nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës janë 48 320 përfitues; nga skema për veteranët e luftës janë 36 766 përfitues; nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara janë 18 924 përfitues; nga skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës janë 13 036 përfitues; nga skema për pensionet familjare janë 3 300 përfitues; nga skema për pensionet e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë janë 2 575 përfitues; nga skema e kompensimeve për personat e verbër janë 1 847 përfitues; nga skema për pensionet e Trepçës janë 1 773 përfitues; nga skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) janë 1 271 përfitues; nga skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës janë 687 përfitues; dhe nga skema për pensionet invalidore janë 60 përfitues”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Në këtë publikim ofrohen edhe të dhënat për fëmijët e braktisur. Sipas ASK-së, në tetor nuk është raportuar asnjë rast i braktisjes së fëmijëve.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-