Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka pritur sot në takim Ambasadoren e Dukatës së Luksemburgut, Natacha Gomes, me të cilën biseduan për thellimin e bashkëpunimit mes Dukatës së Luksemburgut dhe Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Shëndetësisë.
Në këtë takim, Ministri Latifi shprehu falënderimin e tij të veçantë për ndihmën e dhënë nga Dukata e Luksemburgut për përmirësimin e sektorit të shëndetësisë deri më tani, si dhe njoftoi Ambasadoren Gomes për gjendjen e tanishme, planet dhe prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë, ku theks të veçantë iu dha ndërtimit të Qendrës së Traumës dhe krijimit të Qendrës Simulative dhe të Teknologjisë (në fushën e kujdesit shëndetësor).
Temë tjetër e diskutimit ishte mbajtja e takimit të përbashkët me të gjithë donatorët ekzistues dhe ata potencialë në fushën e shëndetësisë në Kosovë, ku do të shpalosen planet afatgjate të Ministrisë së Shëndetësisë për transformimin e sektorit shëndetësor në vendin tonë.
Në këtë takim u diskutua edhe për menaxhimin e situatës epidemiologjike në vend dhe përmirësimit të saj, por u theksua nevoja që vaksinimi të vazhdojë si e vetmja rrugë për t’u mbrojtur kundër Covid-19.
Ambasadorja e Luxemburgut, Natacha Gomes, e njoftoj Ministrin Latifi për ndihmën që shteti i saj ka dhënë për sektorin e shëndetësisë e Kosovës, projektet për të ardhmen dhe po ashtu të dy u dakorduan për një vizitë të Ministrit të Shëndetësisë së Luxemburgut në Kosovë.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.