Ajet kuranor
Allahu i Madhërishëm thotë:
“O besimtarë, mos lejoni që pasuria dhe fëmijët tuaj t’ju largojnë nga të përmendurit e Allahut. Ata që e bëjnë këtë, do të humbin.” (Kuran, 63:9)
Thënie profetike
I Dërguari i Allahut, Muhamedi ﷺ ka thënë:
“Kur njeriu bie në gjumë, shejtani ia lidh në kokë tri nyja dhe i thotë: ‘Fli, ngase ke natë të gjatë përpara!’ Nëse ngrihet dhe e përmend Allahun, i zgjidhet njëra nyjë; nëse merr avdes, i zgjidhet tjetra; nëse ngrihet dhe e fal namazin, i zgjidhen të gjitha nyjat dhe bëhet aktiv e shpirtdëlirë. Në të kundërtën, bëhet shpirtlig dhe përtac.”
[E shënojnë Buhariu dhe Muslimi.]
Urtësi
Ata ibn Rabahu ka thënë: “Me të përmendurit e Allahut (nënvizuar në ajetin e mësipërm) është për qëllim namazi i detyrueshëm.”
Jam i zënë, nuk kam kohë për namaz (!)
Namazi i detyrueshëm nuk të merr kohë më shumë se pesë minuta. Për t’i falur pesë kohët të nevojiten vetëm 30 minuta në 24 orë. Pyete veten se sa orë i harxhon në gjëra të kota…! Vallë, nuk mundke ta ndash një gjysmë ore për Krijuesin tënd?!!
Këshillë
Mos lejo që familja a pasuria që ta ka dhënë Allahu të bëhen shkak që të largohesh nga namazi! Kundrejt asnjë çmimi mos e lejo veten të bëhesh i përhumbur.
Përgatitur nga: Jusuf Kastrati
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.