Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, po u përgjigjet anëtarëve të Komisionit rreth menaxhimit të situatës energjetike në vend.
Murati bëri me dije se deri në fund të periudhës tarifore subvencionimi energjisë që është zotim i Qeverisë së Kosovës do të shkojë deri në 90 milionë euro.
Ai tha po ashtu se nga shumica e subvencionimit, pra mbi 80%, janë amvisëri, si dhe biznese.
“Tani kemi inflacion dhe e kemi parë të arsyeshme që subvencionimi do të përkrahë familjet që kanë nevojë. Edhe shtetet e tjera kanë dalë me plane për subvencionin e energjisë, siç është rasti edhe i Gjermanisë”, tha ai.
Ndër të tjera, Murati ka deklaruar se çdo vendim që merret nga Qeveria e Kosovës është i bazuar në ligj dhe bazohet në kornizën ligjore.
“Ne si Ministri ndarjet i ndajmë duke u bazuar në ligj, sipas kërkesave që na vijnë. Funksioni është financimi dhe prioriteti i qeverisë”, tha Murati para Komisionit Hetimor, duke i përgjigjur pyetjes së anëtarit të Komisionit nga radhët e PDK-së, Ferat Shala, i cili ka kritikuar Qeverinë për mosliferim dhe lëvizje të parave dhe sipas tij këto mjete janë vetëm zotim i Qeverisë, raporton RTKlive.
Kurse sa i përket asaj se ku shkojnë mjetet, Murati bëri me dije se mund të shtohet blloku tarifor, e që e ka marrë edhe Shqipëria. Ai ka thënë se në krahasim me Shqipërinë, Kosova ka rrymën më të lirë.
Deri më tani ky komision ka mbajtur disa mbledhje.
Komisioni përbëhet nga Driton Selmanaj – kryesues, Ferat Shala – zv.kryesues, Abelard Tahiru – anëtar, Besian Mustafa – anëtar, Pal Lekaj – anëtar, Artan Abrashi – anëtar, Enver Haliti – anëtar, Jeta Stratovci – anëtare, Mimoza Kusari-Lila – anëtare, Adem Hoxha – anëtar dhe Fridon Lala – anëtar.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.