Ndoshta nuk do ta besoni, por

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Nuk e di sa mund të më besoni, por nuk dua që të qëndrojë e fshehtë, prandaj vendosa ta ndaj me ju këtë ngjarje.
Dje pasi përfundoi namazi dhe kur po dilja nga xhamia, vura re dy persona në dy qoshet e xhamisë që po luteshin, nuk kishin lidhje me njëri-tjetrin.
Nuk ishin persona të xhematit të përditshëm, asnjëri prej tyre.
Thashë me vete, prit pak, se këtu do ketë diçka.
U ula në hyrje të xhamisë dhe fillova të pres që të dalin të dy.
Njëri prej tyre, i cili ishte veshur dhe bukur tha me zë të lartë: “Amin”, fshiu duart për fytyre dhe u ngrit në këmbë. Erdhi drejt hyrjes dhe më tha: “ Imam i nderuar, merre këtë zarf. Kisha djalin në gjendje kome dhe doktorët më patën thënë se nuk ka më shumë jetë se një javë. Falënderoj Zotin e madh, djali tani është në shtëpi shëndoshë e mirë pranë nënës së vet dhe për këtë arsye u ndala në xhaminë juaj, që të falja dy rekate namaz falënderimi. Zarfi është premtimi që kisha bërë. Ti e di vetë se kush është nevojtar, prandaj jepja personit të duhur. Doli nga xhamia dhe u largua.
Personi tjetër ishte akoma ulur me duar lart dhe me lot në sy. Ishte tek të 50-tat, nga pamja e jashtme kuptohej se ishte punonjës pastrimi në një firmë.
Me të përfunduar lutjen, u ngrit në këmbë dhe me kokën ulur erdhi drejt derës. Më dha selam dhe përsëri me kokën ulur bëri për të dalë.
I thashë: “Vëlla, shiko unë jam në një moshë me ty dhe pak a shumë e kuptoj gjendjen e një njeriu që ka hall, prandaj mos ngurro, shiko nuk ka asnjëri, të lutem ma thuaj.”
Tha: “Hoxhë, kam dy fëmijë. Dje kam hyrë në punë dhe rroga do shumë që të vijë. Po fillon shkolla dhe për shpenzimet e fëmijëve nuk kam asnjë qindarkë. Nuk kam as kujt t’i kërkoj borxh. Sa lashë punën tani, hyra në xhami fala namazin me ju dhe u vendosa t’i drejtohem Zotit për një rrugëzgjidhje.
Me lot në sy i thashë: “Vëlla, ndoshta nuk më beson, por personi që doli para teje më dha këtë zarf dhe më tha jepja një hallexhiu. Urdhëro, kjo është përgjigja e Zotit ndaj lutjes tënde. Merre dhe shko gëzoji fëmijët e tu.
E mori, me sytë plot lot më falenderoi dhe më pas u larguar i lumtur.
Zarfin nuk e kisha hapur që të shikoja se çfarë dhe sa kishte brenda, por isha i sigurt që Zoti i madh ka udhëzuar personin para tij të vendosë në atë zarf aq sa kishte nevojë i dyti.
Pastaj, nuk dola dot nga xhamia pa falënderuar Zotin e madh, i Cili na bashkoi të tre neve, personin që kishte premtimin, mua hoxhën e xhamisë dhe personin që kishte nevojë në xhaminë ku unë shërbej prej vitesh.
O Zot! Të falënderoj që më mundësove të shërbej si urë për këtë mirësi.

Përktheu dhe përshtati:
Ardit Hoxhllaku

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-