Përshëndetja për dore dhe përqafimi pas namazit

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Pyetje: Në disa xhemate, pas përfundimit të namazit, besimtarët kanë filluar jo vetëm të shtrëngojnë duart me imamin (përshëndetja për dore), por edhe të përqafohen me të. A duhet të pranohet kjo praktikë apo të lihet?

Përgjigjja:

Shtrëngimi i duarve gjatë përshëndetjes është një mënyrë për të shprehur miqësi dhe respekt të ndërsjellë. I Dërguari i Allahut, alejhi selam, i ka kushtuar rëndësi të veçantë këtij lloji komunikimi dhe ka thënë: “Nuk ndodh që dy muslimanë të takohen dhe të shtrëngojnë duart, e që Allahu të mos ua falë (gjynahet e vogla) para se të ndahen.” (Tirmidhiu). Gjithashtu, shtrëngimi i duarve ka qenë praktikë e zakonshme ndër shokët e Pejgamberit a.s., sahabët e ndershëm. (Buhariu)

Prandaj, nuk ka pengesë nga aspekti i sheriatit që muslimanët të shtrëngojnë duart pas namazit, pasi kjo është një formë e zakonshme e shprehjes së respektit dhe vëllazërisë, e cila ka bazë në fe. Megjithatë, duhet të jetë e qartë se kjo nuk është pjesë përbërëse e namazit me xhemat.

Sa i përket përqafimit, disa dijetarë e kanë konsideruar të pëlqyeshëm në rastet e kthimit nga udhëtimi, ndërsa në situata të tjera e kanë parë si të papëlqyer; disa të tjerë e kanë lejuar në mënyrë të përgjithshme, ndërsa askush nuk e ka konsideruar të ndaluar. Transmetohet se sahabët, kur takoheshin mes vete, shtrëngonin duart, ndërsa kur ndonjëri kthehej nga udhëtimi, përqafoheshin.

Në përfundim, nëse besimtarët takohen çdo ditë, mjafton të shtrëngojnë duart. Ndërsa, nëse nuk janë parë për një kohë më të gjatë ose sapo njihen – si në rastin e një imami të ri apo xhematliu – nuk ka pengesë që, përveç shtrëngimit të duarve, edhe të përqafohen. Megjithatë, mendojmë se kjo nuk duhet të kthehet në praktikë të përhershme në xhemat pas çdo namazi, pasi nuk transmetohet si pjesë e etikës (adabit) së faljes me xhemat. Për më tepër, nuk është gjithmonë praktike dhe as e arsyeshme nga aspekti shëndetësor.

________________
Preporod, 15 janar 2026

Prof. dr. Ahmed Purdic (fetvai-emin i Bashkësisë Islame të Bosnjë dhe Hercegovis)

Pershtati ne shqip:
Mehas Alija

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-