Në Dragash kandidatët për kryetar premtojnë avancim të grave, përveç njërit

Opoja.net Opoja.net Opoja

Sipas të dhënave nga Instituti GAP, Komuna e Dragashit qëndron më keq në nivel komunal sa i përket përfaqësimit të grave dhe vajzave në qeverisje. Kandidatët për kryetar të kësaj komune premtuan se do të punojnë në avancimin e grave dhe krijimin e mundësive për punësim, përveç njërit prej tyre i cili thotë se është herët të ndodhë një gjë e tillë.

Xhevdet Tahiri nga Balli Kombëtar ka thënë se sa i përket punësimit të grave nuk është e lehtë një gjë e tillë. Sipas tij në këtë komuna nuk ka çerdhe të mjaftueshme e që këtë e lidhi me punësimin e grave, sipas të cilit, fëmijët nuk kanë me kë të qëndrojnë në shtëpi nëse prindërit punojnë.

“Mundësitë nuk janë për momentin se nuk kanë ku i lënë fëmijët, nuk kanë ku të punojnë. Nuk ka kushte… Pa e zhvilluar turizmin pak, nuk ka mundësi”, ka thënë ai.

E kandidatët e tjerë mendojnë ndryshe. Ata premtuan avancim të gruas, nëse dalin fitues nga zgjedhjet lokale.

Bexhet Xheladini, kandidat i LDK-së në emisionin Zgjedhjet në KOHË – Debati për Dragashin, ka thënë se do t’i përkushtohet çështjes së pozitës së gruas në shoqëri.

“Komuna nuk ka bërë asgjë sa i përket avancimit të drejtave të grave. Në shëndetësi kemi pasur disa doktoresha që kanë kërkuar të punësohen, por komuna nuk i ka pranuar dhe ato janë detyruar që të shkojnë në vende të tjera. Në programin tonë të LDK-së pozita e femrës do të zë vend shumë të rëndësishëm. Në listën e asamblesë ka mbi 45 për qind femra”, ka thënë ai.

Kandidatja e VV-së, Kaltrina Salihu, ka thënë se synim do të jetë krijimi i drejtimeve profesionale në këtë komunë dhe përmes tyre t’u krijohet hapësirë grave për punësim më pas.

“Në pozita udhëheqëse, ashtu edhe në administratë është përqindje e vogël e grave. Ne do kujdesemi që të ketë përfaqësim gjinor jo vetëm në aspektin figurativ por në aspektin e cilësisë. Synimi jonë është që të ofrojmë drejtime profesionale për të rinjtë, gratë dhe vajzat që ato të integrohen më lehtë në tregun e punës”, tha Salihu.

Ndërkaq, Agron Gashi nga AAK ka quajti Komunë e Dragashit “rrethojë të hekurt” për sa i përket punësimit të grave. Ai ka thënë se punësimi në këtë komunë bëhet vetëm në baza politike.

“Kjo komunë është në rrethojën e hekurt dhe i diskriminuar nga e drejta e punësimit. Për muaj të tërë dihet personi që do të vijë nga një konkurs pune. Bindja politike, fetare është e njeriut dhe e drejta për punë është e drejtë legjitime dhe në këtë komunë është rrethojë e hekurt. Fjala rrethojë e hekurt do të thotë se nuk ke mundësi assesi qoftë e gjinisë femërore apo mashkullore, po ta dijë prejardhjen nga je, je i varrosur”, ka thënë Gashi, i cili tha se një gjë e tillë do të ndryshojë.

Shaban Shabani, kryetar aktual i Dragashit nga PDK, ka thënë se si komunë ka bërë “jashtëzakonisht shumë”, ndërsa thirri kandidatët e tjerë që ta krahasojnë situatën tash me atë të para disa viteve. Ai u përgjigj edhe mbi punësimin e grave në shëndetësi dhe tha se komuna i ka thirrur, por që nuk janë përgjigjur.

“E kemi thirrë gjinekologen të kthehet në punë. Ka qenë konkursi i hapur dhe është thirrë të konkurrojë”, ka thënë ai.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-