“Neve” dhe “juve”, përdorime të gabuara

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Këndi Letrar

Në parim, kur shkelen normat e drejtshkrimit, bëhet shkurtim i fjalëve, le të mos i themi i fjalive. Atyre nuk u shikohet aspekti morfologjik, trajta e funksioni që do të duhej ta luanin në një fjali të caktuar. Pa i analizuar shumë nga thjerrëza e sintaksës, kalojmë te aspekti leksikor, i cili është më se i domosdoshëm. Le të themi se një të kulturuari gjuhësisht i tingëllon vrazhdë në vesh apo ia vret syrin, varësisht nga trajta e ligjërimit, çfarëdo shkelje e normës, një njeriu me njohuri jo edhe aq të shumta rreth normave i pengon shprishja e aspektit leksikor. “Sinonimi” për pengimin është keqkuptimi, në fakt. Në rastin tonë që kemi vendosur ta shtjellojmë, veçse leksikor, ai paraqet edhe shtrembërim morfologjik, gjë që është edhe më keq.

Lexojmë, po më shpesh, sa i përket këtij gabimi, dëgjojmë të thuhet “neve” e “juve”. Të qartësojmë fillimisht një gjë: jo se këto fjalë-përemra janë të paekzistueshëm, por i takojnë rasës dhanore. Kjo është paralelja që duhet tërhequr sakaq. Për të ilustruar këtë përdorim të gabuar, japim shembullin në vijim: “Neve do të punojmë maksimalisht për përfundimin e projektit në fjalë”; “Juve keni të drejtë të bëni atë gjë.“ etj. Pra, është shumë e çuditshme se pse përdoret, në këtë rast, “neve” në vend të “ne” dhe “juve” në vend të “ju”! Situata këtu dikton të përdoret rasa emërore, e ashtuquajtura rasa absolute. Nëse u kthehemi mësimeve themelore, del se përemrat vetorë të vetës së parë dhe të dytë të shumësit janë: “ne” dhe “ju”. Për atë arsye emërorja quhet absolute, pra sepse përemrave, emrave etj., ua ruan trajtën e vet që kanë.

Gabim tjetër, nëse bën të themi, më i vogël është ngatërrimi i rasës kallëzore me dhanoren. Ky gabim te një pjesë e konsiderueshme folësish madje nuk konsiderohet i tillë. Të rikujtojmë edhe një herë se problematike janë veta e parë dhe e dyta e shumësit. Nëse kërkojmë kundrinën e drejtë, e cila gjendet me anë të përemrit pyetës “kë”, atëherë veta e parë e shumësit, në kallëzore, bën “ne”, kurse veta e dytë “ju” dhe jo “neve” e “juve”, sikurse te rasa dhanore. Pra, nëse duam të gjejmë kundrinën e zhdrejtë, e cila gjendet me “kujt”, atëherë themi “neve” për vetën e parë të shumësit dhe “juve” për vetën e dytë.

Shembuj:

“Ne na shikove” dhe jo “neve na shikove”
Por: “neve na bëre me dorë” dhe jo “ne na bëre me dorë”

“Ju ju ftoj” dhe jo “juve ju ftoj”
Por: “juve ju erdhi ftesa” dhe jo “ju ju erdhi ftesa”

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-