Fati i dëshmorëve tanë, rrugëtimi i tyre jetësor dhe patriotik, është pothuajse i njëjtë. Përkushtimi jetik për çështjen kombëtare. Ndryshojnë vetëm rrethanat konkrete të rënieve. Në këtë vepër kushtuar heroit Xhevat Qerimi, autori Avni Azizi, ka përmbledhur ngjarjet kruciale që sollën kthesën e shumëpritur të kësaj pjese të kombit shqiptar. Vepra është shkruar artistikisht bazuar në fakte historike dhe reflekton veprimtarinë patriotike dhe organizative të Organizatave Klandestine Patriotike të cilat shtruan rrugën e Çlirimit kombëtar. Përmes një finese të lartë artistike, shprehëse, bie në sy përshkrimi i jetës së zakonshme, thjeshtësisë, modestisë, sinqeritetit, ngrohtësisë jetësore e familjare të heroit.
Figura e heroit spikat shumë mirë pikërisht duke përshkruar realitetin dhe reflektimin e vlerave familjare, shoqërore të formimit jetësor të heroit Xhevat Qerimi. Kemi parë e lexuar mjaftë vepra e monografi të shkruara për heronjtë, shpesh bien në sy përshkrime patetike duke dashur t’i rrisim ata, por ata nuk kanë nevojë të rriten e vlerësohen me fjalë të mëdha, përderisa kanë dhënë çdo gjë nga vetvetja për idealin e lartë të lirisë sonë dhe në fund edhe jetën e tyre. Më shumë s’ka çfarë të jep njeriu për idealin e përgjithshëm.
Në këtë vepër, lexuesi do ta njoh e do ta shijoj jetën e një familje të zakonshme mesatare shqiptare të Kosovës me motivin për qëndresë, gëzimet, hidhërimet, përditshmërinë e përkushtimet e përditshme, si model i shumicës së familjeve shqiptare që kanë vuajtur nën pushtimin e nuk janë dorëzuar e pajtuar kurrë me të. Mllefi ishte grumbulluar, kohë të gjatë (pushtimet turke sllave, gjithmonë nga vitet e hershme) por, rezistenca dhe mospajtimi me pushtimin nuk ishin shuar kurrë. Ngjarje kthese ishin demonstratat e vitit 1981 ( Kryengritja e vitit 1981) sepse tashmë dihej se shovinizmi serb do të ringjallej dhe do të dëshironte kthimin e Serbisë së krajlëve, andaj populli i Kosovës me vise, u ngrit për t’i thënë Serbisë dhe gjithë botës se nuk do të duronte një ripushtim klasik serbë, nuk duhej shumë bindje për t’u futur në rrugën e lirisë. Megjithatë disa ishin më përpara dhe nuk kishin forcë që do ti ndalonte në Rrugëtimin e tyre të lirisë. Në këtë grup prijatarësh bënte pjesë edhe heroi Xhevat Qerimi dhe shokët e tij.
Këto figura edhe pse të dhëna me vërtetësi historike nga ana e autorit janë skalitur mjeshtërisht me gdhendjen e bukur të fjalës e shprehjes artistike emocionale që na rikthen evokimin e kohërave të organizimeve e përgatitjeve të para të luftës për liri që po vinte. Mendoj se autori si njohës i mirë i rrethanave të ngjarjeve, të veprimtarisë dhe organizimit të fshehtë kundër pushtimit, pjesëmarrës në kohë reale të këtyre ngjarjeve, ka bërë një punë të mirë në ndriçimin e aktiviteteve të zhvilluara ilegale në këtë pjesë të Kosovës si parapërgatitje e krijimit të Universit Çlirues Kulturor, pra Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shumë ngjarjeve dhe aktiviteteve të zhvilluara në drejtim të krijimit të strukturave të para të UCK.-së
Të lexosh këtë vepër kushtuar heroit Xhevat Qerimi do të thotë të jetosh në Kosovën e viteve ’70 – ’90 dhe të njohësh direkt heroin Xhevat Qerimi dhe shokët e tij, të përjetosh ndjenjat e atij brezi që ka ngritur peshë zemrat e popullit shqiptar dhe gjithë botës demokratike. Një vepër brilante që të jep pasqyrë të kohës, që të fisnikëron me mjeshtërinë e përshkrimeve dhe njohjeve, një vepër ndryshe nga skemat dhe shabllonet e gjertanishme.
Florim Shabani
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.