Nijetet që i bën kërkuesi i diturisë

Opoja.net Opoja.net Artikuj

1. Bëje nijet ta kërkosh diturinë, që ta adhurosh Allahun e Lartësuar me dije të plotë! Allahu i Lartësuar thotë:

قُل هٰذِهِ سَبيلي أَدعو إِلَى اللَّهِ ۚ عَلىٰ بَصيرَةٍ أَنا وَمَنِ اتَّبَعَني ۖ وَسُبحانَ اللَّهِ وَما أَنا مِنَ المُشرِكينَ

“Thuaj: “Kjo është rruga ime: të ftoj drejt Allahut me dituri të plotë, unë dhe çdokush që më pason mua. I përlëvduar qoftë Allahu; unë nuk jam prej idhujtarëve!” (Jusuf, 108)

2. Bëje nijet ta kërkosh diturinë, se kërkimi i saj është ibadet. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue selem) ka thënë:

“Atij që ndjek udhë për të kërkuar dituri, Allahu ia lehtëson nëpërmjet saj udhën drejt Xhenetit.” (E shënon Muslimi numër 2699)

3. Bëje nijet ta kërkosh diturinë, që të bësh pjesë në lutjen e të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue selem), për atë që e dëgjon dijen, e bartë dhe ua përcjellë të tjerëve. Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin (sal-lallahu alejhi ue selem) të thotë:

“Allahu e ndriçoftë një njeri që e dëgjon një hadith nga ne dhe e përcjellë ashtu siç e dëgjon! Mbase ai që iu përcillet e kupton më mirë sesa dëgjuesi.” (E shënon Tirmidhiu, numër 2657, hasen-sahih)

4. Bëje nijet ta kërkosh diturinë që Allahu nëpërmjet saj të të ngritë në shkallë të larta. Allahu i Lartësuar thotë:

يا أَيُّهَا الَّذينَ آمَنوا إِذا قيلَ لَكُم تَفَسَّحوا فِي المَجالِسِ فَافسَحوا يَفسَحِ اللَّهُ لَكُم ۖ وَإِذا قيلَ انشُزوا فَانشُزوا يَرفَعِ اللَّهُ الَّذينَ آمَنوا مِنكُم وَالَّذينَ أوتُوا العِلمَ دَرَجاتٍ ۚ وَاللَّهُ بِما تَعمَلونَ خَبيرٌ

“…Allahu do t’i ngrejë në shkallë të lartë ata midis jush që besojnë dhe që u është dhënë dija…” (El Muxhadeleh, 11)

5. Bëje nijet ta kërkosh diturinë, që ta arrish pozitën t’i druhesh dhe frikësohesh Allahut të Lartësuar! Allahu i Lartësuar thotë:

وَمِنَ النّاسِ وَالدَّوابِّ وَالأَنعامِ مُختَلِفٌ أَلوانُهُ كَذٰلِكَ ۗ إِنَّما يَخشَى اللَّهَ مِن عِبادِهِ العُلَماءُ ۗ إِنَّ اللَّهَ عَزيزٌ غَفورٌ

“Në të vërtetë, nga robërit e Tij, Allahut i frikësohen vetëm dijetarët, (që e dinë se) Allahu është vërtet i Plotfuqishëm dhe Falës.” (Fatir, 28)

6. Bëje nijet ta kërkosh diturinë që ta marrësh shpërblimin e kuvendeve të diturisë! Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue selem) ka thënë:

“Sa herë që mblidhet një grup njerëzish në ndonjë shtëpi të Allahut (xhami) për ta lexuar dhe për ta studiuar Librin e Allahut ndërmjet vete, mbi ta zbret qetësia, i mbulon mëshira, i rrethojnë melekët dhe i përmend Allahu tek ata që janë pranë Tij. Atë që e lë prapa vepra e tij, nuk do ta çojë përpara prejardhja e tij.” (E shënon Muslimi, numër 2699)

7. Bëje nijet ta kërkosh diturinë, që melekët të t’i vendosin flatrat e tyre nga kënaqësia për atë që po e vepron.Përcillet se i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue selem) ka thënë:

“Vërtet melekët i vendosin flatrat e tyre për kërkuesin e diturisë nga kënaqësia për atë që po e kërkon.” (Ahmedi, 18089, senedi (zinxhiri i transmetimit) është hasen)

8. Bëje nijet ta kërkosh diturinë që të jesh ndër njerëzit më të zgjedhur dhe më të ndershëm tek Allahu.  Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue selem) është pyetur:

“Kush është njeriu më i ndershëm? Ai u përgjigj: “Më i ndershmi i njerëzve është më i devotshmi (në mesin e tyre).” – O i Dërguari i Allahut, nuk po pyesim për këtë, – i thanë. Ai tha: “Atëherë, Jusufi, i dërguari i Allahut, i biri i të dërguarit të Allahut (Jakubit), i biri i të dërguarit të Allahut (Is’hakut), i biri i mikut të Allahut (Ibrahimit).” I thanë: As për këtë nuk po të pyesim. Pejgamberi ﷺ u tha: “Po më pyesni për rrënjët e arabëve?” – Po, – i thanë. Ai u tha: “Më i miri prej jush në injorancë është më i miri edhe në Islam, nëse e kupton fenë.” (E shënojnë Buhariu, numër 3375 dhe Muslimi, numër 2378)

9. Bëje nijet ta kërkosh diturinë se ajo është prej adhurimeve më të mira vullnetare. Katadja tregon se Ibn Abasi ka thënë: “Përsëritja e diturisë gjatë natës është më e dashur për mua sesa ta ringjallë atë (me adhurim).” Is’hak ibn Mensuri ka thënë: Ahmed ibn Hanbelit i është thënë: Cilën dituri e ka pasur për qëllim? – Dija që u bën dobi njerëzve në çështjet e fesë së tyre – u përgjigj. – Dija rreth abdesit, namazit, agjërimit, haxhillëkut, shkurorëzimit e të ngjashme? – i thashë. Tha: Po. Më tej Is’hak ibn Mesudi thotë se Is’hak ibn Rahevejhi ka thënë: “Kjo çështje është ashtu siç ka thënë Ahmedi.” Imam Shafiiu (Allahu e pastë mëshiruar!) ka thënë: “Kërkimi i diturisë është më me vlerë sesa namazi vullnetar.” Sufjan Thevriu (Allahu e pastë mëshiruar!) ka thënë:  “Nuk ka ndonjë vepër më me vlerë sesa kërkimi i diturisë, nëse nijeti është i sinqertë.”

10. Bëje nijet ta kërkosh diturinë, që t’ia kumtosh atyre që nuk dinë. Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue selam) ka thënë:

“Përcillni nga unë qoftë dhe një ajet të vetëm. Tregoni rreth beni israilëve pa druajtje! Ai që gënjen qëllimisht ndaj meje, te ta përgatisë ulësen e tij nga zjarri!” (E shënon Buhariu, numër 3462)

11. Bëje nijet ta kërkosh diturinë që t’i udhëzosh njerëzit drejt hairit dhe ta marrësh shpërblimin si ta. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue selem) ka thënë:

“Ai që fton drejt një udhëzimi, e merr shpërblimin sikur të atyre që e pasojnë atë, pa iu pakësuar asgjë nga shpërblimi i tyre, sikundërqë,  ai që fton drejt një devijimi, e merr mëkatin sikur të atyre që e pasojnë atë, pa iu pakësuar asgjë nga mëkati i tyre.” (E shënon Muslimi, numër 2674)

12. Bëje nijet ta kërkosh dijen, që të kërkojnë falje për ty krijesat, madje edhe melekët. Ebu Umameh Bahiliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue selem) iu përmendën dy burra: njëri ishte adhurues e tjetri i dijetar. Me ç’rast i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue selem) tha:

“Allahu e lavdëron, melekët dhe banorët e qiejve dhe tokave, madje milingona në vrimën saj dhe balena, luten për atë që ua mëson njerëzve hairin!” (Hasen, e shënon Tirmidhiu, numër 2684 dhe ka thënë: hasen-garib-sahih)

13. Bëje nijet ta kërkosh diturinë, që të bëhesh shkak për udhëzimin e disa njerëzve. Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon e ka dëgjuar të Dërguarin (sal-lallahu alejhi ue selem) në ditën e Hajberit duke thënë:

“Do t’i jap flamurin një njeriu, në duart e të cilit Allahu do ta mundësojë çlirimin.” Kështu, të gjithë të pranishmit u larguan duke u hamendur se kujt do t’i jepej flamuri dhe secili shpresonte për veten e vet. Pejgamberi (sal-lallahu alejhi ue selem) pyeti: “Ku është Aliu?” Dikush tha: Po ankohet prej syve. Ai urdhëroi ta thërrisnin dhe pastaj i vendosi pështymë mes syve, me të cilën Aliu u shërua menjëherë, sikur të mos kishte pasur asgjë. Aliu tha: Le t’i luftojmë derisa të bëhen sikurse ne (muslimanë). Por, Pejgamberi (sal-lallahu alejhi ue selem) i tha: “Mos vepro asgjë pa shkuar në mesin e tyre e t’i ftosh në Islam dhe t’u tregosh çfarë u është bërë obligim. Ngase, për Allahun, të udhëzohet një person nëpërmjet teje është më mirë sesa devetë e kuqe (lloji më i çmueshëm i deveve).” (E shënojnë Buhariu, numër 2942 dhe Muslimi numër 2406)

 

Përktheu: Hoxhë Burim Koçinaj

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-