Dy burra të verbër qëndronin ulur pranë shtëpisë së Zubejde Abasije, e cila ishte e njohur për bujari dhe zemërgjerësi. Njëri prej tyre lutej herë pas here: “O Zot! Më jep nga të mirat e Tua!”
Kurse tjetri lutej me zë të lartë: “O Zot! Më jep nga të mirat e Zubejde Abasije!”
Zubejde i dëgjonte çdo ditë lutjet e dy të verbërve dhe po çdo ditë, atij që kërkonte mirësitë e Zotit i jepte dy dërhemë, kurse tjetrit i jepte një pulë të pjekur, brenda së cilës fshihte dhjetë dinarë floriri.
Kjo vazhdoi për dhjetë ditë rresht. Ditën e dhjetë, Zubejde Abasije, e mërzitur shkon tek i verbri të cilit i jepte pulën me dhjetë dinarë floriri brenda dhe i thotë: “A nuk të kanë mjaftuar të mirat tona që kërkon të tjera?!”
I verbri ia ktheu i habitur: ”Pse çfarë më keni dhënë?!”
Zubejde iu përgjigj: “Njëqind dinarë floriri, çdo ditë nga dhjetë dinarë.”
I verbri tha: ”Jo, s’kam marrë asnjë dyshkë. Kam marrë vetëm një pulë të pjekur, të cilën ia shisja bashkëvuajtësit tim për dy dërhemë.”
Pasi u mendua pak, Zubejde shtoi: “Ky kërkoi të mirat tona dhe Zoti e privoi prej tyre, kurse ky tjetri kërkoi të mirat e Zotit e Ai e furnizoi me të mirat e Tij.”
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.