Në vizitën e saj në komunën e Dragashit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pyetur për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat veriore.
Osmani tha se së shpejti do të përfundojë baza ligjore ku përcaktohen afatet dhe çështjet teknike për zgjedhjet lokale, por që sipas saj, i takon qytetarëve në veri se a do të dalin në zgjedhje a po jo.
Presidentja tha se bashkësia ndërkombëtare duhet të kërkojë nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të mos e përdor pushtetin e tij për të krijuar dhunë në komunat veriore me shumicë.
“Pastaj i takon qytetarëve në veri se a dëshirojnë ta shfrytëzojnë këtë të drejtë. E kam thënë më herët është esenciale që komuniteti ndërkombëtar të kërkojë nga Vuciqi ta ndërpresë ndikimin negativ, frikësimin e qytetarëve, dhunën që përdoret nga strukturat ilegale ndaj qytetarëve në veri dhe t’i lejojë ata t’i shfrytëzojnë pa dhunë të drejtat e tyre që i takojnë me kushtetutë”, tha ajo.
Osmani tha Vuçiq po sillet si një shërbëtor i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, derisa ritheksoi se ndërkombëtarët duhet të bëjnë presion të Serbia.
“Jam e bindur që qytetarët dëshirojnë ta shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe këtë bindje e kam nga komunikimet që i kemi cdo ditë, në mënyrë që të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme dhe t’i zgjedhin kryetarët me zgjedhje demokratike. Por, deri tani nuk shoh ndonjë vullnet nga Vuçiq që ai të ndërpresë agresionin institucional që vazhdimisht e kryen në raport me fqinjët, nuk pres nga ai ta ndërpresë dhunën që nëpërmjet strukturave kriminale e ushtrojnë ndaj qytetarëve, prandaj presioni duhet të jetë në Beograd që më në fund Beogradi të fillojë të sillet me standardet e evropiane dhe jo si një shërbëtor i Putinit dhe vetëm i Putinit”, tha ajo.
Osmani foli edhe për strukturat paralele serbe në Kosovë, për të cilat, tha se ka informacione në detaje.
“Ju siguroj se jo që kam njohur, por kam njohuri në detaje ku gjenden, special prej tyre, në cilin fshat, kush i udhëheq, kush i merr pagat e dyfishta e trefishta, çfarë roli destruktiv nëpërmjet të hollave në të zezën Serbia e luan”, tha ajo.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.