Pa pasaporta deri në janarin e 2023

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kosova

Ministria e Punëve të Brendshme nga kjo javë ka ndërprerë lëshimin e pasaportave për të gjithë përveç pacientëve që kanë urgjenca mjekësore e u duhet të udhëtojnë për trajtim shëndetësor jashtë vendit. Kjo ministri nuk është përgjigjur rreth kësaj situate, megjithatë Gazeta10 ka mësuar se mundësia më e afërt për furnizim me material me pasaporta është mesi i janarit të 2023-tës.

Burimet i kanë treguar Gazeta10 që kompania që e ka pasur tenderin më parë ia ka bërë me dije MPB-së se nuk mund të sigurojë material më herët. Me këtë kompani MPB-ja pritet të lidhë kontratë emergjente meqë tenderi i rregullt është i bllokuar në OSHP.

Deri në gjysmën e janarit të vitit të ardhshëm qytetarët e Kosovës nuk do të mund të pajisen me pasaportë, përveç atyre që janë të sëmurë rëndë dhe që trajtimi i tyre nuk kryhet në Kosovë. Kjo, për arsye se Ministria e Punëve të Brendshme ka mbetur pa material për lëshimin e pasaportave, pasi që tenderi është i bllokuar në OSHP e kompania që ka ende kontratë valide nuk mund ta sigurojë atë deri në vitin e ardhshëm.

MPB-ja, siç ka mësuar Gazeta10, për herë të fundit është furnizuar me material për pasaporta në qershorin e këtij viti. Pas këtij furnizimi, lëshimi i pasaportave në mënyrë të rregullt u bë deri në fillimin e shtatorit.

Veçmas telashe është bërë për shtetasit e Kosovës në diasporë të cilët spo mund ti marrin këto shërbime në ambasada dhe konsullata, dhe kështu rrezikojnë të mbesin edhe pa dokumente të leje qëndrimeve në vendet ku janë.

Nga ky muaj në Kosovë mund të pajiseshin me pasaportë veç ata që aplikonin pasaportën me procedurë të shpejtuar e kosto shtesë, siç e parasheh infrastruktura ligjore e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Sipas UA MPB Nr. 07/2017, pasaporta mund të merret me procedurë të përshpejtuar në afati kohor brenda 72 orë (llogariten vetëm ditët e punës), tarifa shtesë është 50 euro”, thuhet në faqen e këtij institucioni.Por nga e hëna e kësaj jave, me pasaportë mund të pajisen vetëm qytetarët që kanë urgjenca mjekësore e që sëmundjet me të cilat janë diagnostikuar nuk trajtohen në Kosovë.

Të dy ofertuesit janë konserciume ndërkombëtare të cilat në ankesat e tyre në OSHP, pretendojnë që janë ofertues të përgjegjshëm.

Ofertuesi Muhlbauer ID Services GMBH & Ymalko SHPK vendimin e MPB-së për anulim e konsiderojnë si të paligjshëm e kundërthënës.

“Arsyeja e eliminimit nga Autoriteti Kontraktues është kundërthënëse, sepse fillimisht është shënuar se nuk kemi dorëzuar ofertë teknike për pajisje, ndërsa më poshtë për harduerin është shënuar se janë bashkëngjitur broshurat dhe katalogët nga të cilët nuk janë identifikuar kapacitetet që janë kërkuar sipas specifikacionit teknik në aneksin 1 të dosjes së tenderit”, thuhet në ankesën e këtij konserciumi tashmë të dorëzuar në OSHP.

Kompania në vijim të ankesës pretendon që katalogët për të cilat janë eliminuar nuk kanë qenë fare pjesë e dosjes së tenderit.

“Përderisa nuk janë kërkesa të përcaktuara në Dosjen e Tenderit katalogët, atëherë nuk mund të eliminohen kompanitë për kërkesa që nuk janë në Dosjen e Tenderit”, thuhet në ankesë.

Ankesë ka bërë edhe konserciumi tjetër i eliminuar. Grupi i operatorëve Augentic GMBH & IN Group vendimin për anulimin e tenderit e ka ankimuar në OSHP 3 ditë me herët.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-