Pensionistët e Kosovës kategoria me e nënçmuar shoqërore

Opoja.net Opoja.net Opinione

AUTOR: Muharrem Qafleshi

Pensionistët janë kategoria më e nënçmuar dhe me e rrezikuar e shoqërisë kosovare, pa mbështetje shëndetësore, pa përkujdesje shtetërorë, e harruar nga shteti edhe kur Kosova dhe bota po kalon krizën e luftës në Ukrainë, ku për çdo ditë kemi rritje çmimesh dhe inflacion enorm ndërsa, pensioni i pensionistit mbeti po aq 100 €.
Pensionisti i Kosovës me pension e tij, teje të mjerë prej vetëm 100 € ose më saktë prej 3.3 € në ditë, me të cilat duhet ta kaloj ditën duke blerë ilaçe për sëmundjet e shumta të pleqërisë, paguar kurimet e mjekut, ujin, rrymën, internetin, të blejë dru për ngrohje, që i bie t’i ndaj 4 pensione për 5 metër dru për ta kaluar disi stinën e ftohtë të dimrit, duhet blerë ushqime e veshmbathje etj., parashtrohet pyetja si mund të dilet me 100 € zotëri kryeministër Kurti!

Për mësimdhënësit po kujdeset sindikata dhe Rraman Jashari, kurse për pensionist askush!
Me në fund dhe për çdo respekt Xhevdet Pozahri nis fushatën me moton: “Dinjiteti për pensionistët”, po ashtu edhe deputetja Teuta Haxhiu, vite me parë çështjen e pensioneve e kishte ngritur në Kuvendin e Kosovës!

Pra, kaluan 23 vite pas luftës, ku të gjitha partitë që qeverisen Kosovën, tani edhe Ju z. Kryeministër, po i bëni bisht kategorisë se pensionistëve, duke i lënë anash, ngase për pensionistet e pensionet nuk po ndërmarrët asnjë hap për ndryshimin e legjislativit për t’i analizuar rrethanat e viteve të ’80 e ’90, ngase ata që e lëshuam punën si kërkesë e kohës, mbetem pa paga, ndërsa, ata që mbeten në punë si shqiptarë të ndershëm ose luajal të pushtetit morën paga, të njëjtit edhe sot marrin pensione ngase e përmbushin kushtin e qeverisë së shtetit të Kosovës, përvojën e punës prej 15 vite të kohës kur Kosova ishte nën okupimin e Serbisë.

Nuk po i njihen diplomat e shkollimit në shtetin e Kosovës por vetëm të kohës së serbit, ngase me kriteret e vendosura nga qeveria e Kosovës të pensionuarve ju kërkohet diploma e kohës së serbit, parashtrohet pyetja se pensionet e Kosovës a paguhen nga buxheti i Serbisë apo i Kosovës, pse duhet të kërkohet çdo gjë e kohës së serbit të viteve ’90-të?
Vite këto, kur shqiptarëve ju kërkohej edhe vërtetimi i përshtatshmërisë ideo-politikë, pa të cilën nuk ke mund të regjistrohesh në fakultet e as të punësohesh në ndonjë ndërmarrje publike.
Pensionistet të cilët punojnë në vendet e Evropës, Amerikës, Australisë etj,. marrin me qindra e mira euro pensione në shtetet ku jetuan dhe punuan, po ashtu marrin edhe pensionin e Kosovës, tek ne në Komunën e Dragashit, ku funksionojnë normalisht institucionet paralele të Serbisë, pa i shqetësuar askush, punëtorët e komuniteti goranë marrin paga nga Serbia edhe nga Kosova, marrin pensione edhe nga Serbia edhe nga Kosova.

E habitshme dhe e çuditshme është, që secila parti para zgjedhjeve në fushatat e tyre zgjedhore në mesin e prioriteteve gjithmonë e kanë rritjen dhe rregullimin ligjor të pensioneve, por pas zgjedhjeve dhe me marrjen e pushtetit, pushtetarët kësaj kategori ju kanë sjell vetëm zhgënjime e asgjë më tepër!?
Pak nga historia ime!

Isha student i fakultetit të mjekësisë, pas demonstratave të vitit 1981, me larguan nga fakulteti pa të drejtë shkollim, po ashtu edhe vëllai im Sabahadin dy herë e përjashtuan nga shkolla e mesme kinse iu ka fishkëllyer policisë serbe, u burgos e u rrah, nga torturat përfundojë në spital, babi im i cili punonte për kafshatën e gojës dhe familjes së tij në Zvicër, për çdo pushim i’a merrnin pasaportën duke i bërë trysni për të bashkëpunuar me ta.

Serbët me 1999, ma dogjën shtëpinë, kurse me 2001, shqiptarët me shpirt serbi me vendosën trotil në shtëpi dhe nga shpërthimi i trotilit pata shumë dëme materiale, por më e keqja ma traumatizuan familjen.

Jam doktor i shkencave të historisë edhe etnologjisë, pa asnjë ditë punë në universitet ose në ndonjë kolegj, ngase profesorët universitar mbani nga disa vende punë me aq sa kam lexuar deri në tetë sish, dhe kjo dukuri anormale nuk u rregullua edhe sot e kësaj dite?

Kam përvojë punë 34 vite, por sipas kalkulimeve në Administratën Pensionale të Kosovës, me dolën 12 vite 4 muaj e 22 ditë, të pa mjaftueshme për pension kontribut dhënës.
Para lufte ose kur Kosova ishte nën okupimin serb, isha kryetari i Këshillit për Financim, kryetar i Shoqatës Bamirësi “Nënës Terezë”, kryetar i Këshillit për Informim, të gjitha këto për shtetin e Kosovës nuk pijen ujë, ngase duhet ti kesh 15 vite përvojë pune në kohën e sundimit serb dhe pikë.

Kjo anomali duhet të rregullohet sa më parë, që edhe pensionistet e Kosovës ta bëjë një jetë normale si gjithë bota e civilizuar.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-