Pesëdhjetë vite migrim të kosovarëve – pse tani është faza më e rrezikshme?

Opoja.net Opoja.net Opinione

Kapllan Halimi

Ditëve të fundit ka filluar një debat për një çështje shumë të rëndësishme për Kosovën, ikjen e rinisë kryesisht nga zonat rurale për në vendet e perëndimit. Kjo ikje po realizohet me një shpejtësi të paparë dhe si kurrë më parë me një punë të siguruar në vendet e perëndimit. Ditëve të fundit është bërë shumë debat publik ku janë përfshirë edhe liderët politikë, një pjesë e opinion-bërësve këtë fenomen e shohin të rregullt kurse udhëheqësit politikë i urojnë ata se shkojnë drejt e në punë.

Por, cili është rreziku i këtij lloji të migrimit?

Kosova është ballafaquar edhe me faza të tjera të migrimit duke filluar që nga fillim-vitet e 70-ta, ku ka pasur një migrim të kontrolluar për punë sezonale e më vonë edhe të përhershme të punëtorëve të kualifikuar nga kompanitë tona nëpër kompanitë e mëdha gjermane e zvicerane, ka qenë një lloj i migrimit të kontrolluar. Fazë tjetër është e fillim-viteve të 80-ta, ku nga represioni politik filluan të ikin aktivistë politikë e të burgosur politikë për t’iu shmangur dhunimeve fizike dhe për të ushtruar veprimtarinë politike nga ekzili për një Kosovë të lirë, kjo ishte fazë e migrimit e detyruar, por ata të cilët kanë migruar në këtë periudhë kurrë nuk e kanë shkëputur mendimin për t’u kthyer dhe kurrë nuk kanë ndalur së dërguari të gjitha fitimet që i kanë bërë në perëndim drejtë Kosovës duke mbajtur familjen por edhe duke kontribuar në financimin e aktiviteteve politike për lirinë e vëllezërve dhe motrave në Kosovën e robëruar në atë kohë.

Faza e viteve të 90-ta të migrimit është më masovikja dhe këtu ikën shumë qytetarë për të kërkuar një jetë më të mirë dhe larg dhunës fizike. Ky migrim ishte politik, ku Serbia kishte qëllim boshatisjen e Kosovës, kurse kosovarët kishin qëllim ikjen nga territori dhe shpëtimin e familjes duke iu krijuar një jetë më të mirë dhe më stabile. Kjo gjeneratë e migrantëve hasën edhe vështirësitë e adaptimit dhe gjetjes së një vendi të punës edhe në vendet perëndimore, jetuan në kampe refugjatësh dhe kishin një sfidë të jashtëzakonshme të adaptimit me vendin pritës, por edhe këta të ikur nga Kosova kurrë nuk e braktisën Kosovën dhe mbajtën lidhje edhe financiare edhe shpirtërore. Remitencat e këtyre migrantëve e mbajtën Kosovën të gjallë dhe qytetarëve iu dhanë fuqi të mos asimilohen.

Nëse shikojmë rastin e migrantëve pas Luftës së Dytë Botërore nga trojet shqiptare në Republikën e Turqisë mund të shohim se shkëputja e lidhjes me vendlindjen dhe kushtet e vështira financiare që u gjeten në vendin pritës i detyruan ata të asimilohen. Sot në Turqi ka shumë turq me prejardhje shqiptare por të gjithë ata fillimisht thonë se janë turq e pastaj shqiptarë.

Këta pra, diaspora kosovare janë heronjtë e vërtetë të mbijetesës dhe të bërit jetë të mirë e pa varfëri. Këta pra, ‘diaspora’, janë ata që kanë financuar të gjitha aktivitetet politike për çlirimin e vendit, këto remitenca 800 milionë euro në vit janë industria më e fuqishme që ka vendi jonë edhe sot 20 vite pas çlirimit.

Pas çlirimit të vendit, ishte një kohë e entuziazmit dhe shpresës se gjithçka shumë shpejtë do të bëhet mirë dhe të gjithë do të kemi nga një vend pune dhe një jetë të rehatshme sikur vëllezërit dhe motrat tona në diasporë. Menduam, shpresuam dhe jetuam disa vite në këtë ëndërr. E pamë se kemi një elitë politike mjaft të aftë për të krijuar këtë dhe pas dëshprimit për mos-liberalizim të vizave dhe qarkullimit të lirë, filloi përsëri dëshprimi dhe kemi fazën e re të migrimit, fazën më të madhe të pasluftës, atë të viteve 2014 dhe 2015. Ishte kohë e ikjes masive të qytetarëve kosovar drejt vendeve perëndimore por e mira e kësaj faze për shtetin e Kosovës është se qytetarët nuk kishin punë të sigurt atje ku shkonin dhe potenciali i kthimit të tyre përsëri në Kosovë do të ishte i madh, siç edhe ndodhi, kishte një kthim të madh, kishte përsëri një thyerje të teorive shkencore se të kthyerit me forcë nga migrimi krijojnë pasiguri në vend, radikalizohen e besa edhe protestojnë për të drejtat e tyre, e kjo teori nuk u vërtetua në Kosovë, por pse? Kishim një diasporë të mirë e të ndërgjegjshme që vazhdonin të sjellin remitencat e tyre 800 milionëshe për çdo vit, që ishte një e hyrë industriale në Kosovë ku çdo familje afektohej nga kjo shumë. Këto remitenca janë që kanë thyer të gjitha teoritë sociale për një revolucion social në Kosovë pasi që papunësia ndër vite ka qenë rreth 40 për qind.

Mendoj se migrimi i ditëve të fundit është më i rrezikshmi, qytetarët nuk po migrojnë ilegalisht dhe ata nuk po shkojnë atje ku nuk e dinë se ku po shkojnë, por drejt e në punë. Kryeministri i uroi edhe për gjetje të punës, por harroi se këta qytetarë më nuk do të kthehen në Kosovë e tregu i punës do të jetë më i varfër për arsye se në këtë valë migrimi po ikin punëtorë të kualifikuar të cilët po gjejnë punë jashtë Kosovës. Disa liderë politikë thanë edhe se ata po shkojnë në mënyrë të rregullt, gjë që është e vërtetë, por ata po shkojnë me familje që të mos kthehen më në Kosovë. Ata po shkojnë nga këtu kurse ky vend po varfërohet edhe më shumë për fuqi punëtore. Kjo kategori i vështirëson edhe investimet e jashtme ndërkombëtare e besa edhe zhvillimin e brendshëm pasi që nuk kanë alternativë, realisht nuk po iu ofrohet alternativë. Të gjitha politikat nxitëse për zhvillim po bëhen për klientelën e tyre zgjedhore. Nuk po mendohet më zhvillimi i vendit, po mendohet vetëm se si t’i fitojmë zgjedhjet. Ndoshta një ditë do të kenë edhe më të lehtë t’i mbajnë zgjedhjet e besa edhe votuesit pasi që nuk do të ketë më të rinj, mendje alternative, por do të ketë vetëm njerëz të moshës së shtyer që do të jetojnë me politikat sociale të pamenduara mujore, që do të jenë të kënaqur duke luajtur shah dhe duke krijuar konspiracion në këtë vend të pashpresë.

Autori është kandidat për doktor shkence në fushën e migrimit pranë The Leibniz Institute of Agricultural Development in Transition Economies (IAMO), Gjermani.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-