Njohësi i çështjeve ekonomike dhe pronari i kompanisë “Meka”, Burim Piraj, ka kritikuar institucionet e Kosovës për gjendjen në të cilën gjendet ekonomia vendore dhe bizneset si pasojë e pandemisë Covid-19.
Piraj në një bisedë për gazetën Scanner, ka thënë se institucionet shtetërore në vend që ta menaxhojnë krizën ekonomike, e kanë thelluar atë.
Ai ka theksuar se përkundër zotimeve për t’i ndihmuar bizneset dhe punëtorët, institucionet një gjë të tillë nuk e kanë përmbushur me kohë.
“Mendoj se institucionet e Kosovës nuk e kanë menaxhuar në mënyrë efikase krizën pasi që me zotimet që i kanë bërë kundrejt firmave dhe individëve nuk i kanë realizuar me kohë, kështu që në vend se krizën ta menaxhojnë institucionet tona e kanë thelluar dhe më shumë. Kosova është një vend i cili ballafaqohet me papunësi të nivelit të lartë e si rrjedhojë e së cilës shumë qytetar vendosin ta braktisin vendin për një jetë më të mirë”, ka deklaruar Piraj.
Më tej, Piraj, ka thënë se institucionet nuk janë duke u treguar serioze karshi situatës në të cilën gjenden bizneset dhe ekonomia në përgjithësi.
Piraj ka kërkuar nga institucionet që të reagojnë më shpejt në mënyrë që të vendi të shpëtohet nga kolapsi ekonomik.
“Edhe po vonohen edhe nuk ka seriozitet për t’u marr me situatën. Mendoj se gjendja është shumë më serioze se që po mendojnë institucionet tona dhe se duhet të reagohet shumë më shpejt, ashtu që të shpëtohet nga kolapsi ekonomik i vendit!”, ka thënë Piraj.
Ndërsa sa i përket paralajmërimeve të fundit për shpalljen e gjendjes se jashtëzakonshme, Piraj ka thënë se gjë e tillë do ta dëmtonte ekonominë.
Piraj ka thënë se nëse vije deri të shpallja e gjendjes se jashtëzakonshme, duhet të kihet parasysh se pasojat do të jenë afatgjate dhe se do të duhen më shumë se dy vite që të rikthehet normaliteti.
“Qeveria mund të shpall gjendje të jashtëzakonshme nëse e sheh të arsyeshme mirëpo unë mendoj se nuk kemi një gjendje aq alarmante për një hap të tillë, mirëpo, nëse vjen situata të shpallet gjendje e jashtëzakonshme duket ta kemi parasysh që pasojat do të jenë afatgjate dhe se më shumë se dy vite ekonomia e jonë do të ketë të vështirë të rikthehet në funksionim normal”, është shprehur Piraj. / Gazeta Scanner/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.