Pllajniku, fshati pa prona të regjistruara

Opoja.net Opoja.net Lajme Opoja

Ky fshat nuk është i shënuar në asnjë hartë gjeografike.

Profesori Abaz Çengaj, nga Pllajniku, thotë për Kosova Sot se i vetmi vend i Kosovës të cilin vetëm mund ta lexojmë si emër fshati, e ku dihet se jetojnë familje e banorë, është Pllajniku.

“Po dihet se nuk figuron në asnjë hartë gjeografike”, shton ai.

Ky është fshati më i lartë i komunës së Sharrit.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në programin e sivjetmë ka paraparë subvencione për grurë, për farë gruri, për misër, për luledielli, për lopë dhe buallica qumështore, për dele dhe dhi, për qumësht sipas kategorive të cilësisë, për pulari, për bletari, për derrari, për pemishtet ekzistuese, për perimet në fushë të hapur, për therjet e raportuara te gjedhit.

“Për herë të parë do të subvencionohen akuakultura, bujqësia organike, elbi, thekra, aronia, arra, lajthia, si dhe thëllëzat, por i vetmi vend i Kosovës që vetëm i lexon këto e nuk ka mundësi të konkurrojë është Pllajniku se nuk figuron në asnjë hartë gjeografike”, ankohet ai.

Çengaj thotë se dje ka pasur një erë të fortë, e cila edhe ka shkaktuar dëme të mëdha.

Por, të gjitha këto dëme si në shtëpi dhe bujqësi do të mbeten dëme të këtyre banorëve, ngase as në subvencione, as në shkaktim dëmesh askush s’mundet t’i kompensojë këta banorë që nuk figurojnë në asnjë hartë.

Ai befasohet shumë se këta banorë e paguajnë tatimin mbi pronë, por nuk kanë kurrfarë përfitimi, ngase toka dhe prona e këtij fshati nuk ekzistojnë në hartë.

“Këtë temë në të ardhmen do ta hulumtojmë edhe më shumë. Kjo për faktin se nuk ka pronë të regjistruar. Për shkak të konfliktit që është me fshatin Kosavë, të cilët e kishin uzurpuar gati gjysmën e bjeshkës së Pllajnikut, ata kërkuan që së pari të regjistrohet bjeshka e pastaj të regjistrojë pronat tona”, tregon Çengaj, duke shtuar se para luftës ishte incizuar terreni i bjeshkës, por pas shumë matjeve kishte dështuar.

Tash askush nuk e qan kokën për regjistrimin se do të ngjallet problemi i bjeshkës dhe Qeveria, ajo e LDK-së dhe as ajo e PDK-së nuk bënë gjë.

“Tash banorët e Pllajnikut janë mënjanuar nga secili benifit i mundshëm. Janë mbi 1 mijë hektarë bjeshkë që presin pronaret legjitim”, përfundon ai.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-