Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, thotë se marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe duhet të implementohet.
Pahor në një konferencë të përbashkët me homologen kosovare, Vjosa Osmani, vlerëson se për derisa nuk ka alternativa tjera të propozuara nga palët, duhet të zbatohet marrëveshja e arritur më parë.
“Edhe në Beograd kam thënë, edhe herën e kaluar këtu, unë e shoh si rrugëtim për përforcimin e besimit që të implementohen marrëveshjet e arritura, marrëveshja mes Prishtinës dhe Beogradit ishte po ashtu për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Unë i kam thënë edhe Osmanit që të gjendet një zgjidhje që të arrihet kjo marrëveshje, unë nuk e di nëse ka alternativa, por derisa nuk ka propozime nga palët, vlen marrëveshja e arritur më parë”, ka thënë ai.
Tutje, Pahor ka thënë se kjo është njëra ndër temat e rralla që nuk pajtohet me Osmanin, por që sipas tij duhet të gjendet një zgjidhje.
“Siç thashë më herët, Kosova dhe Sllovenia kanë shumë qëndrime të përbashkëta, por mes neve ka edhe dallime”, tha ai.
“Një është edhe implementimi i marrëveshjeve të arritura. Edhe në Beograd kam thënë, unë e shoh si rrugëtim për përforcimin e besimit, implementimin e marrëveshjeve të arritura. Unë Vjosës i kam thënë që pres që të gjindet një zgjidhje për implementimin e kësaj marrëveshjeje”, tha ai.
Mes tjerash, presidenti slloven bëri të ditur se në Samitin e 11-të të procesit Brdo-Brioni, më 12 shtator, do të flasin për tema si mundësimi sa më i shpejtë i negociatave për shtetet që kanë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkim Evropian, që Bosnjë-Hercegovinës t’i jepet ky status kandidat deri në fund të vitit si dhe të plotësohet kërkesa për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.