Opoja.net

Prizren: Polici Elmi Krasniqi, akuzohet për 50 euro ryshfet

Zyrtari policor, Elmi Krasniqi, në shqyrtimin gjyqësor të mbajtur të mërkurën, nuk e ka pranuar fajësinë për marrjen e 50 eurove ryshfet.

Prokurori Metush Biraj ka lexuar aktakuzën me të cilën e ngarkon të akuzuarin Krasniqi me veprën penalet të marrjes së ryshfetit gjatë patrullimit në autostradë. Me këtë rast, i akuzuari ka mohuar akuzën.

Në këtë seancë ka dëshmuar zyrtari policor, Zbulim Asllani, i cili kishte qenë duke patrulluar     së bashku me të akuzuarin, në ditën kritike. Ky dëshmitarë ka thënë se në ditën kritike së bashku me të akuzuarin ka patrulluar në 4 lokacione brenda autostradës “Ibrahim Rugova”, dhe nuk kanë pasur asnjë problem. Sipas tij, i akuzuari ka biseduar me kundërvajtësit ndërsa ky vetëm u kishte treguar, me radar shpejtësinë e zhvilluar. Madje nuk i kujtohet nëse e kanë lëshuar ndonjë person pa e ndëshkuar, pasi e kanë ndaluar.

Poashtu Asllani ka shtuar se rreth rastit ka kuptuar pas orarit të punës, kur janë takuar me një inspektor të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), së bashku me të dëmtuarin dhe kanë kërkuar nga i dëmtuari që të identifikojë policin i cili i ka kërkuar atij 50 euro.

Sipas këtij dëshmitari, i dëmtuari fillimisht nuk ka mundur t’i identifikoj ndonjërin prej tyre si polici që i ka kërkuar para, por më vonë ka thënë se kolegu i tij, Elmi Krasniqi, po i duket si personi që ia ka marrë 50 euro. Ndërsa ka theksuar se në autostradë hyjnë shumë patrulla policie, të cilat nëse vërejnë ndonjë veturë me parregullsi apo me shpejtësi të madhe, e ndalin.

Në këtë seancë janë lexuar edhe provat materiale nga shkresat e lëndës, ku ndër të tjera edhe deklarata e të dëmtuarit të dhënë gjatë hetimit të veçantë të bërë në procedurën paraprake.

Gjatë seancës, avokati Naim Qelaj, disa herë ka ngritur shqetësimin se ka kundërthënie në dëshmitë e të dëmtuarit, të dhëna në IPK, në prokurori dhe gjatë seancës së hetimit të veçantë. Ai ka thënë se ka mundësi që të jenë bërë edhe gabime teknike por se këto do t’i sqaronte personalisht i dëmtuari, për të cilin, ka propozuar që të dëgjohet nga trupi gjykues.

Poashtu, Qelaj ka propozuar që të ftohen për të dëshmuar zyrtarët policorë, Argjent Gashi dhe Shaban Desipojci, të cilët kanë qenë prezent në momentin kur i dëmtuari nuk ka arritur ta identifikojë të akuzuarin në përnjohjen e parë.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Skender Çoçaj, ka refuzuar propozimin e mbrojtjes për dëgjimin e të dëmtuarit Ismet Gjeliloviq, por ka aprovuar kërkesën që të dëgjohen zyrtarët policorë Gashi dhe Desipojci.

Me këtë rast seanca është ndërprerë, ndërsa ajo e radhës është caktuar për 17 mars 2017, në ora 09:00.

Prokuroria Themelore në Prizren, në fund të tetorit 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Elmi Krasniqi, të cilin e akuzon se ka kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit.

Sipas aktakuzës, Elmi Krasniqi, në cilësinë e zyrtarit policor, gjatë patrullimit në autostradën “Ibrahim Rugova”, ka ndaluar të dëmtuarin Ismet Gjeliloviq, për tejkalim shpejtësie. Tutje përshkruhet se i akuzuari i ka thënë të dëmtuarit se në rrugën ku lejohet shpejtësia 100 km/h, ka zhvilluar shpejtësi prej 163 km/h dhe se duhet të paguajë 95 euro dënim.

Por, sipas organit të akuzës, i akuzuari Krasniqi, i ka thënë të dëmtuarit Gjeliloviq se mund ta mbyllin çështjen miqësisht, nëse ai i jepte atij 50 euro. I dëmtuari, pasi ia ka dhënë të akuzuarit paratë prej 50 euro, menjëherë ka shkuar në stacionin policor në Malishevë, ku edhe e ka paraqitur rastin./betimiperdrejtesi/

Aksident trafiku mes dy veturave në Prizren

Opoja.net

Rrahje në Dragash, bëhet për spital një person

Opoja.net

E teprojnë me bakllava, përfundojnë në emergjencë

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net