Prizren: Shtyhet gjykimi për krime lufte ndaj pjesëtarit të UÇK-së

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kronika

Shqyrtimi gjyqësor, i paraparë të mbahej të enjten, kundër Remzi Shalës, i cili akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për krime lufte ndaj popullsisë civile, nuk është mbajtur pasi që avokati Natal Bullakaj, ka rast vdekje në familje.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Natal Bullakaj, ka njoftuar të pranishmit se një ditë më parë i ka vdekur nipi i sapolindur dhe se nuk është në gjendje që të përfaqësojë të akuzuarin, andaj ka kërkuar që kjo seancë dhe ajo e së premtes të shtyhen.

I akuzuari, Remzi Shala, nuk ka pranuar që atij t’i caktohet një avokat tjetër zëvendësues me arsye se i njëjti nuk është i njohur me rastin penal dhe provat e prokurorisë, andaj ka kërkuar që seanca të shtyhet për një datë tjetër.

Prokurori i rastit, Haki Gecaj dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Asdren Hoxha, janë pajtuar që seanca të shtyhet.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Raime Elezi, ka vendosur që kjo seancë dhe ajo e së premtes të shtyhen për 19, 20 dhe 22 shtator 2017, duke filluar nga ora 09:00.

Remzi Shala, akuzohet nga Prokuroria Speciale se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 26 qershor 1998, duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, viktimën Haxhi Përteshi.

Sipas aktakuzës, Remzi Shala, i cili ishte i vetmi pa maskë në kokë, së bashku edhe me 5-6 pjesëtarë tjerë të UÇK-së, të maskuar, nën dyshimin se i ndjeri ishte bashkëpunëtorë i forcave serbe, kanë shkuar në fshatin Duhël dhe të njëjtin e kanë dërguar në një vend të panjohur.

Në aktakuzë thuhet se djali i viktimës, Agron Përteshi, i kishte parë ata të largoheshin, së bashku me babin e tij, në drejtim të fshatit Grajqevc dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël./betimiperdrejtesi/

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-