Në fshatin Kuk të Dragashit janë arrestuar dy persona nga policia e Kosovës për shkak të shantazhit ndaj një personi, njofton policia e Kosovës.
“Pak pas mesnate, hetues rajonalë, në bashkëpunim edhe me njësite tjera operative, kanë arrestuar dy persona të gjinisë mashkullore në fshatin Kuk të Dragashit, sepse ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë konsumuar elemente të veprës penale të shantazhit”.
“Sipas raporteve hetimore, thuhet se njëri nga të dyshuarit i kishte shkruar viktimës në “Face Book” dhe ishte paraqitur si femër duke tentuar ta joshte seksualisht. Pas disa bisedave i dyshuari i kishte kërkuar viktimës 800 euro para në dorë ose në të kundërtën do t’i bënte publike bisedat komprometuese”.
“Lidhur me këtë, viktima ka kërkuar ndihmën e policisë, të cilët, pasi e kanë njoftuar prokurorin e shtetit, kanë marrë pëlqimin edhe të gjyqtarit të procedurës paraprake. Të dyshuarit pasi janë mbajtur nën vëzhgim, janë arrestuar gjatë marrjes së parave në vendin ku ishte caktuar nga ana e tyre. Policia ka kryer bastisje në dy shtëpi, me ç’rast janë sekuestruar një kompjuter dhe pesë telefon celularë me të cilët dyshohet të jetë kryer vepra penale”, njofton policia e Kosovës./04 Online/Opoja.Net/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.