PZAP-ja anulon votat me postë në Dragash

Opoja.net Opoja.net Opoja

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka aprovuar ankesën e kandidatit të PDK-së, për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani, dhe ka anuluar të gjitha fletëvotimet e dorëzuara përmes postës për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të kësaj komune.

PZAP-i ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që fletëvotimet e anuluara të mos i përfshijë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, të mbajtura më 14 nëntor.

Kandidati i PDK-së për Dragashin, Shaban Shabani, ka bërë ankesë më 17 nëntor në PZAP se në rundin e dytë të zgjedhjeve ka pasur manipulim të zgjedhjeve të cilat kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor, duke devijuar vullnetin e shumicës së zgjedhësve.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është shprehur i bindur në një intervistë në “DESKU” të KTV-së të enjten se votat e ardhura me postë për komunën e Dragashit janë të manipuluara.

“Për fat të keq, në Dragash është dëgjuar në dy-tre javët e fundit për një organizim të tillë dhe pastaj u verifikua nga dëshmitë evidente. Fletëvotimet janë të shtypura nga i njëjti vend, dorëshkrimi i njëjtë në të gjitha zarfat. Ka një paqartësi se si disa prej fletëvotimeve që janë nisur nga adresa të caktuara në Austri përmbajnë fletëvotime të qytetarëve që jetojnë në Gjermani apo gjetiu. Ka qenë një mënyrë e organizuar, e strukturuar, pa dashur që të komentojë mundësinë që edhe ata qytetarë kanë votuar me dëshirën e tyre”, ka thënë Krasniqi.

Sipas rezultateve preliminare të së dielës nga KQZ-ja, në Dragash udhëhiqte Shaban Shabani i PDK-së me 5.648 vota, 47 më shumë se kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini. Por pas numërimit të votave nga diaspora, Xheladini kishte marrë 244 vota, ndërsa Shabani vetëm 54, duke bërë që rezultati të përmbyset dhe kësisoj, PDK-ja dhe LDK-ja kanë numër të barabartë të komunave të fituara, nga 8 sosh.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-