Qindra mijëra euro të fermerëve të cilët kanë aplikuar për grante dyshohet se janë keqpërdorur nga Qendra për Avokim dhe Diplomaci (QAD). Mbi 360 fermerë vitin e kaluar kanë paguar mijëra euro për pjesëmarrje në garën për grante, me shpresën se ky investim do t’iu shpërblehej me fitimin e fondit të premtuar nga kjo organizatë.
Dyshimet për keqpërdorime kanë nisur në gusht të vitit të kaluar. Prokuroria dyshon se veprimtaria e kësaj OJQ-je ka të bëjë me veprën penale “organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Një muaj pasi kishin nisur hetimet, QAD-i kishte hapur një tjetër raund për grante.
Në këtë raund, sipas kësaj organizate, kanë aplikuar rreth 10 mijë aplikues.
Nga ta, qindra persona kanë participuar me shumat financiare nga 2 mijë deri në 8 mijë euro. Shuma maksimale që fermeri ka mundur të përfitojë sipas njoftimit publik ka qenë 20 mijë euro.
Nga të gjithë fermerët që i kanë paguar këto para asnjëri nuk e ka marrë pjesën e premtuar të grantit.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.