Rasti Dehari, ministrja Haxhiu ngreh dyshime për manipulim të provave brenda SHKK-së

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kosova

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë për media ka prezantuar të gjeturat e raportit të Inspektoratit të MD-së lidhur me rastin e vdekjes së Astrit Deharit, ish-aktivistit të LVV-së i cili kishte ndërruar jetë më 5 nëntor 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Haxhiu tha se që nga marrja e detyrës si ministre nga zyrtar të ndryshëm kanë pranuar informata të ndryshme lidhur me përfshirjen e personave përgjegjës në këtë rast.

“Për të sqaruar zbatimin e procedurave brenda Shërbimit Korrektues, nëse zyrtarët kanë zbatuar përgjegjësitë e tyre në përputhje me legjislacionin në fuqi, kam kërkuar inspektim nga Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu ka thënë se të gjeturat e raportit jepin dyshime se rasti ka pasur tendenca të manipulohet, raporton Telegrafi.

“Raporti adreson këto shkelje: Marrja dhe posedimi i incizimit të kamerave me aprovim të ish-drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, Destan Zogaj te zyrtarët Ylber Topalli, Urim Buleshkaj dhe anëtarë nga Komisioni i SHKK-së, përbën shkelje të legjislacionit penal dhe legjislacionin përkatës për mbrojtjen e të dhënave. Incizimet e kamerave të sigurisë nga kryeinspektori i MD-së dhe zyrtarët e SHKK janë marrë para se ato ti merrte polica, pra nga data 5 kur ka ndodhur rasti dhe data 6,7 nëntor 2016. Është e çuditshme që zyrtarët e SHKK dhe kryeinspektori i MD-së kanë marrë incizimet e kamerave para policisë. Sipas legjislacionit në fuqi në rast të ndonjë veprimi me natyrës penale autoriteti kompetent për marrjen e incizimeve është policia”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka shtuar se më tej sipas raportit të inspektoratit, kryeinspektori në vitin 2016 ka nxjerr dy raporte kontradiktore në lidhur me rastin.

“Në raportin e parë të datës 14.11.2016 të kryeinspektorit thuhet se po bëhet inspektim i jashtëzakonshëm duke e cilësuar rastin si vetëvrasje, duke tejkaluar kështu kompetencat ligjore sepse kryeinspektori dhe inspektorati i MD nuk ka të drejtë të japë cilësime nëse është vrasje apo vetëvrasje. Ndërsa në raportin e dytë të datës 21.11.2016 thuhet se po bëhet inspektim me rastin e vdekjes. Këto dy raporte janë nënshkruar nga kryeinspektori Ylber Topalli, ku raportin e datës 14 e mohon që ekziston si i tillë dhe poashtu mendoj që i takon organeve të ndjekjes nëse ky raport është i falsifikuar apo kryeinspektori nuk po e thotë të vërtetën”, u shpreh Haxhiu.

Ministrja Haxhiu shtoi se Inspektorati i MD-së ka trajtuar edhe shqiptimin e masave ndaj personave përgjegjës dhe transferet e tyre në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan, ku në vend të suspendimit të menjëhershëm të stafit përgjegjës ata kanë vazhduar të jenë punë deri më 21 nëntor 2016, gjë që kanë lënë hapësirë për manipulim të provave.

“Është e çuditshme dhe e paprecedentë që dëshmitari kryesor Naser Makolli është transferuar në Lipjan më 9 dhjetor ku paraprakisht ishin transferuar edhe oficerët me masën disiplinore të transferimit, i cili më pas ndërroi jetë aty. Mbi bazën e këtij raporti konstatohen veprime kontradiktore dhe lë dyshime të mëdha për manipulim të provave”, tha Haxhiu.

Albulena Haxhiu- Ministre e Drejtësisë Foto: MD

Haxhiu shtoi se raportin bashkë me dokumentet përcjellëse do ta dërgojë te kryeprokurori i Shteti, dhe i njëjti gjithashtu do të dërgohet të organet përgjegjëse që kanë autorizime për shqiptimin e masave ndaj akterve të përfshirë në këtë raport, raporton Telegrafi.

“Ministria e Drejtësisë nuk është përgjegjëse për të hetuar rastin, për këtë është kompetente Prokuroria Speciale”, tha Haxhiu.

Ministrja theksoi se publikimi i video incizimeve nga kamerat e sigurisë brenda burgut ka qenë veprim i paprecedentë dhe duhet të adresohet se kusht kanë qenë personat përgjegjës që i kanë shpërndarë.

Ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, është gjetur i vdekur më 5 nëntor të vitit 2016, brenda qelisë së tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. /Telegrafi/

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-