Respekti ndaj Pejgamberit (a.s.)

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Kur bëhet fjalë për respektin ndaj Pejgamberit (a.s.), na vjen në mendje urdhri i Kuranit Famëlartë që të biem salavat kur përmendet emri i të Dërguarit të Allahut. Ky urdhër shpjegohet në këtë mënyrë: “Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”!” (Ahzab, 56) Një sahab, i quajtur Ka’b b. Uxhre, tregon: “Kur u zbrit ky ajet, shkova pranë Pejgamberit (a.s.) dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Selamin e kuptojmë (si do ta japim), por salatin nuk e kuptojmë (si duhet ta bëjmë).” Pejgamberi (a.s.), udhëzoi të thuhej kështu: “Allahumme sal-li ala Muhammed’in ue ala ali Muhammed. Kema sal-lejte ala Ibrahime ue ala ali Ibrahim inneke hamidun mexhid. Allahumme barik ala Muhammed’in ue ala ali Muhammed. Kema barekte ala Ibrahime ue ala ali Ibrahim inneke hamidun mexhid” (O Allah! Mëshiroje Muhamedin (a.s.) dhe familjen e tij, ashtu siç mëshirove Ibrahimin (a.s.) dhe familjen e tij. Me të vërtetë, Ti je i Falënderuar dhe i Madhëruar. O Allah! Begatoje Muhamedin (a.s.) dhe familjen e tij, ashtu siç begatove Ibrahimin (a.s.) dhe familjen e tij. Me të vërtetë, Ti je i Falënderuar dhe i Madhëruar.” (Buhari, Tefsir, 33/10; Muslim, Salat, 66.)

Të respektosh Pejgamberin (a.s.), duke i dhënë selam dhe të bësh salavat për të, është farz. Në lidhje me këtë çështje janë transmetuar edhe disa hadithe. Pejgamberi (a.s.), ka thënë: “Turp për atë që nuk bie salavat për mua kur përmendet emri im.” (Ahmed b. Hanbel, II, 254; Tirmidhi, Daauat, 100.) Ndërsa në një hadith tjetër Pejgamberi (a.s.), ka thënë: “Allahu Teala ka ngarkuar me detyrë dy melekë për mua. Kur unë përmendem në prani të ndonjë myslimani dhe ai bie salavat për mua, ata dy melekë, thonë: ‘Allahu të faltë.’ Allahu Teala dhe melekët e tjerë u përgjigjen atyre dy melekëve duke thënë, “amin!”. Nëse një mysliman nuk bie salavat për mua kur emri im përmendet në prani të tij, ata dy melekë thonë: ‘Allahu mos të faltë!’ Allahu Teala dhe melekët e tjerë u përgjigjen atyre dy melekëve duke thënë, “amin!”.”1 Myslimanët, që janë të vetëdijshëm për urdhrin e Kuranit dhe hadithet në lidhje me salavatin ndaj Pejgamberit (a.s.), nuk harrojnë kurrë që pasi të kenë falënderuar Allahun, t’i çojnë selam dhe të bëjnë salavate për Pejgamberin (a.s.), në çdo rast apo vend qofshin. Kur përmendet emri i bekuar i Pejgamberit tonë (a.s.), çdo mysliman duhet të tregojë respektin e thellë që ka ndaj tij, duke thënë: “Allahumme sal-li ala Muhammed’in ue ala ali Muhammed” dhe duhet t’i çojë selam duke shprehur dashurinë dhe lidhjen e fortë që ka me të. Salavati i Allahut ndaj Pejgamberit (a.s.), do të thotë, se Allahu Teala është shumë i mëshirshëm ndaj Pejgamberit (a.s.), e lavdëron atë, ia begaton punët, e lartëson emrin e tij dhe zbret mëshirën mbi të. Ndërsa salavati i melekëve ndaj Pejgamberit (a.s.), do të thotë, se melekët e duan shumë Pejgamberin (a.s.) dhe i luten Allahut që t’i japë atij pozitë të lartë.2 Respektimi i Pejgamberit (a.s.), të cilit Allahu Teala i ka dhënë vlerë dhe melekët e përmendin me respekt, është detyra e çdo besimtari. Idhujtarët dhe dyfytyrëshit dëshironin dështimin e Pejgamberit (a.s.) dhe mundoheshin me mish e me shpirt që me çdo lloj më- nyre e propagande ta ulnin vlerën e tij e ta poshtëronin atë në sy të njerëzve.

© Opoja.net

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-