Një musliman i gjeneratave të para u lavdërua në publik, mirëpo ai u skuq dhe iu kthye njeriut që e lavdëroi duke i thënë: “Mos vallë, krahas Allahut ke zot tjetër!” duke aluduar në atë se vetëm Allahu meriton të lavdërohet dhe madhërohet. E si është puna me ne që i gëzohemi çdo lavdërimi dhe na mërzit çdo kritikë!
Rreth Ibrahim En-Nehaiut, dijetarit dhe asketit të madh ishin tubuar katër persona, ndërsa ai u ngrit dhe i la, duke iu frikuar popullaritetit… ndërsa neve na thyhet zemra nëse humbim një ndjekës apo nxënës, ndërsa gëzohemi pa masë dhe bombardojmë rrjetet sociale nëse na shtohet ndonjë ndjekës…
Njerëzit i thanë ibn Sirinit, njërit nga kolosët e tabiinëve: “Dil imam në namazin e kësaj xhenazeje.” Ndërsa ai nuk pranoi duke thënë: “Nuk dua që njerëzit të ndahen duke thënë se na ka falur ibn Sirini, ndërsa ne garojmë me njëri tjetrin kush të dal imam, ndoshta edhe zihemi për këtë.”
Kur Omer ibn Abdul Azizi mbante fjalim dhe nëse ai fjalim i pëlqente, ai menjëherë ndalonte nga frika e vetëkënaqësisë. Ndërsa tek ne nëse shtohet numri i dëgjuesve, ne i shtojmë fjalimet, i ngritim zërat dhe na pëlqen fjalimi.
Abdullah ibn Mubarek, dijetari i njohur asnjëherë nuk i ka shkruar qëndrimet e tij. Ai thoshte: “Kush jemi ne që qëndrimet dhe mendimet tona të shkruhen.” Ndërsa neve na lavdërojnë pak njerëzit, dhe dikush mund të thotë: Kam shkruar kaq dhe kaq tekste, kam përkthyer, kam studiuar etj…
Në të vërtetë sa të devotshëm që ishin…
Lusim Allahun që të na ruaj mos i përshkruajmë shok Atij dhe të na fal ato që i bëjmë pa vetëdije. Amin
Autor: Aid El-Karni
Përshtati: Arsim Dauti
(Islampress)
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.