Kryetari i Degës së LDK-së në Dragash, njëherit edhe zëvendësministër në qeverinë Hoti, Selim Kryeziu, ka shpërndarë në profilin e tij në Facebook deklaratën qeveritare, ku thuhet se ”Qeveria e Republikës së Kosovës beson thellë në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit, që mbetet një nga periudhat më të ndritshme të historisë”.
Në këtë deklaratë gjithashtu thuhet se “bartësit e institucioneve si dhe qytetarët e Kosovës kanë qenë gjithmonë dhe vazhdojnë të jenë shembull për respektim dhe bashkëpunim me drejtësinë vendore dhe ndërkombëtare”.
Më poshtë mund ta lexoni deklaratën e plotë:
”
Deklaratë e Qeverisë së Republikës së Kosovës
Qeveria e Republikës së Kosovës po i përcjell me vëmendje zhvillimet e fundit rreth Dhomave të Specializuara, të cilat janë pjesë e sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës beson thellë në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit, që mbetet një nga periudhat më të ndritshme të historisë.
Askush nuk mund të gjykojë luftën tonë për liri. Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftoi për çlirimin e vendit tonë, për mbrojtjen e pragut të shtëpisë, e jo në tokë të huaj, dhe si e tillë gëzoi mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, që kulmoi me fushatën e bombardimeve të NATO-s.
Qeveria e Republikës së Kosovës, konsideron se askush nuk mund të konsiderohet fajtor pa vendim përfundimtar të organeve kompetente të drejtësisë.
Bartësit e institucioneve si dhe qytetarët e Kosovës kanë qenë gjithmonë dhe vazhdojnë të jenë shembull për respektim dhe bashkëpunim me drejtësinë vendore dhe ndërkombëtare.”
/OPOJAnet/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.