Kosova dhe Serbia mbrëmë arritën marrëveshje për targat ilegale, me Serbinë që do të ndalojë prodhimin e këtyre targave, ndërsa Kosova do të suspendojë fillimin e gjobitjes për serbët që përdorin këso lloj targash.
Pas njoftimit të marrëveshjes nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, pasuan reagimet.
I pari nga partitë opozitare që reagoi ishte kryetari i AAK-së, Ramush Hardinaj.
Ai mirëpriti arritjen e ujdisë, ndërkohë që kërkoi që tani të përmbyllet edhe marrëveshja për njohje, me lidership amerikan.
“Mirëpres arritjen e marrëveshjes për targa. Tani të përmbyllet marrëveshja për njohje, me lidership amerikan”, shkroi Haradinaj pak pas njoftimit.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u deklarua për këtë ujdi gjatë ditës së sotme përmes faqes zyrtare të partisë në Facebook.
Ai e vlerësoi dakordimin e mbrëmshëm të arritur, duke thënë se rruga e vetme që garanton suksesin e Kosovës është bashkërendimi i ngushtë dhe i përhershëm me partnerët strategjikë, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Për Kosovën dhe të ardhmen euroatlantike të saj, stabiliteti politik dhe siguria janë parakushte esenciale, ndërsa bashkëpunimi i përgjegjshëm ndërkombëtar garanton shtyrjen përpara të interesave nacionale të Republikës së Kosovës.
Megjithatë, Abdixhiku e ka parë tërësisht të panevojshme dhe të dëmshme, atë që e ka quajtuar ai, gjithë dramën populiste të krijuar nga institucionet kryesore të vendit gjatë ditëve dhe javëve të fundit.
“Kthimi dhe pranimi i marrëveshjes së njëjtë, pas gjithë dramës së shkaktuar, tregon joseriozitetin e drejtuesve aktualë të shtetit në përballje me përgjegjësitë e larta shtetërore. Kjo sjellje, përveç se ka lënduar marrëdhëniet e Kosovës me institucionet ndërkombëtare dhe shtetet mike, për të cilat Kosova ka nevojë, ka bllokuar dhe proceset kryesore integruese të vendit”.
Në fund, LDK-ja u ka bërë thirrje institucioneve të vendit që të jenë transparente për procesin e dialogut politik, nëpërmjet raportimit në Kuvend përpara përfaqësuesve të zgjedhur.
“Deklarimet e fundit të kryeministrit, përveç se kontradiktore, janë dhe tepër të paqarta, së këndejmi, ato krijojnë pasiguri në lidhje me drejtimin e këtij procesi jetik për Kosovën”, thuhet tutje në reagim, njofton Klankosova.tv.
I fundit për të reaguar nga krerët opozitarë ishte kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili zgjodhi ta komentonte marrëveshjen nga foltorja e Kuvendit.
Krasniqi tha se e mirëpret marrëveshjen për targat të arritur dje në Bruksel, por edhe ai pati kritika për qeverinë dhe kryeministrin Albin Kurti, pasi siç tha, u shkaktua dramë “pa pikë nevoje”.
“Në mes të dramës pa pikë nevoje që i keni shkaktuar vendit, ne e mirëpresim dakordimin që ka ndodhur dje në Bruksel, marrëveshjen që shmang përshkallëzimin dhe eskalimin potencial në veri”.
Ai i tha Kurtit se këtë ka mundur ta bëjë vet, duke u dakorduar me ShBA-të.
“Ke mundur ta bësh këtë vet që e bërë në Bruksel, duke u dakorduar me ShBA-të dhe duke ua marrë për bazë këshillën që e kishe për më shumë se 4-5 javë në tavolinë, nga Escobar por edhe nga Blinken. Fatkeqësisht duke mos bërë një gjë të tillë, ke shprehur një pafuqi të Kosovës, duke ndjell panik e frikë, dhe jo veç në veri”.
Krasniqi po ashtu pyeti qeverinë nëse do të kthehen serbët në institucionet e Kosovës.
“A do të ketë normaliteti në veri siç ka pasur, s’mund t’i ktheni eprorët por a do të kthehen një pjesë e tyre në administratë e institucione të tjera?”, tha ai. /Klankosova.tv.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.