Vajza, ju mund të pyesni veten: “Mos është e nevojshme që të kaloj më shumë kohë me njeriun me të cilin do të martohem, në mënyrë që ta njoh më mirë?” Mos harroni se nuk mund ta njihni një njeri duke u bazuar vetëm në mënyrën sesi sillet me ju. Njerëzit mund të ruhen kur janë me ju dhe të mos tregojnë karakterin e tyre të vërtetë. Për më tepër që një gjë e tillë mund të zgjasë me vite të tëra. Për këtë arsye, shpesh hasemi me çifte që kanë flirtuar për vite të tëra, kanë kaluar një fejesë të lumtur por që ndahen pas një periudhe të shkurtë martese. Nëse doni ta njihni më mirë njeriun me të cilin do të martoheni, vëzhgojeni me kujdes sesi sillet me njerëzit e tjerë dhe si vepron në ambiente të ndryshme.
Nëse një njeri është i paedukatë me nënën dhe babanë e vet, ashtu do të jetë edhe me bashkëshorten. Nuk mund të presësh drejtësi në jetën familjare nga një njeri që është i padrejtë në punë; kjo do të ishte vetëm një ëndërr e parealizueshme. Një njeri i pandjeshëm ndaj krijesave që ka përreth nuk mund të jetë i ndjeshëm ndaj shqetësimeve tona. Nëse lëmë pas dore sjelljet e njeriut në ambiente të ndryshme dhe ndaj njerëzve të ndryshëm, nuk do ta njohim atë mjaftueshëm.
Si sillet në familje? A është i dashur me nënën, babanë dhe vëllezërit e motrat?
A është i ndjeshëm ndaj gjallesave? Kur shikon një qen të uritur a ndjen dëshirën për ta ushqyer? A e respekton natyrën, pemët, lulet?
Si sillet në punë? A bën thashetheme për kolegët e punës, a është i moralshëm dhe i drejtë, a punon në mënyrë që të meritojë rrogën që merr, a u bën padrejtësi të tjerëve?
Si sillet me shoqërinë? A është njeri egoist dhe përfitues apo i besueshëm dhe i respektueshëm? A i ndihmon shokët pa pritur gjë në këmbim apo ka shoqëri me interes?
A ka ndjenja të forta morale apo lufton vetëm për të mira materiale?
Nuk mjafton që të kalojmë një kohë të gjatë në shoqërinë e njeriut me të cilin do të martohemi, që ta njohim në atë mënyrë. Nëse bëjmë vëzhgimet dhe pyetjet e duhura, do ta njohim atë shumë lehtë.
Fejesa është parapërgatitje për martesë
Fejesa është koha që i jepet çiftit të ri për të bërë përgatitje për një jetë të përbashkët. Fejesa nuk duhet shikuar si koha e njohjes mes dy palëve. Ajo është një pjesë e martesës. Ju fejoheni me njeriun me të cilin doni të martoheni dhe filloni të bëni planë për të ardhmen.
A është e nevojshme një fejesë e gjatë?
Një fejesë e zgjatur bëhet shkak për konsumimin e marrëdhënies, sepse çdo periudhë parapërgatitëse është stresuese. Njeriu kur është gati nuk ka përse të presë më gjatë. Sa ditë mund të rrini në një shtëpi, sendet e së cilës i keni mbledhur dhe i keni futur në kutia? Sigurisht që dëshironi të shkoni sa më parë në banesën e re. Edhe periudha e fejesës është e ngjashme me këtë. Nëse i keni bërë të gjitha përgatitjet, nuk keni përse ta zgjasni më kot fejesën. Zgjatja e saj bëhet shkak për probleme në mes të çiftit i cili fillon të ngatërrohet edhe për gjëra krejt të vogla e të parëndësishme.
A jemi duke u martuar ne apo familjet tona?
Në momentin kur marrim vendimin për t’u martuar, duhet të kemi parasysh se ka shumë rëndësi që familjet e të dy palëve të mirëkuptohen me njëra-tjetrën. Mund të thoni: “Vajza është e mirë, por nëna e saj nuk durohet; djali është i mirë, por babai i tij nuk është njeri për së mbari.” Mos harroni se sjelljet e familjes tonë na duken normale. E thënë ndryshe, një vajzë me nënë të keqe i shikon veprimet e saj si normale dhe nuk i ka problem.
Para se të martoheni me një njeri që nuk ia pëlqeni familjen, mendohuni dhe njëherë. Një pikë tjetër e rëndësishme është edhe mendimi i familjeve për partnerin e fëmijës së tyre. Marrja e bekimit të dy familjeve respektive do të bëhet gur i fortë i themelit të së ardhmes. Nëse kemi probleme me familjen e bashkëshortit, në rastin e krizës më të vogël nuk do të kemi askënd për të na përkrahur. Për më tepër që mungesa e mbështetjes nuk është asgjë përpara një armiqësie të mundshme e cila do të bëhet pengesë për zgjidhjen e problemit më të vogël. Mund të hapen diskutime të forta për një shkak krejt të parëndësishëm dhe mund të kthehen në kriza që sjellin divorcin.
Për të gjitha këto arsye, bashkëshortët duhet të kenë marrëdhënie të mira me familjen e vet dhe të bashkëshortit. Familjet duhen vizituar vazhdimisht dhe çifti duhet të ndajë kohë për to dhe duhet vrapuar në ndihmë në rastin e ndonjë problemi.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.