Si t’i lutem Zotit të Madhëruar?

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Lutja drejtuar Zotit të Madhëruar është një adhurim mbushur plot mistere, i fshehtë dhe i shenjtë. Ajo është sjellja më e sinqertë e adhuruesit. Është gjendja ku njeriu i drejtohet dhe kërkon diçka nga Zoti i tij me çiltërsi dhe sinqeritet.

Në ajete si “Kur robërit e Mi të pyesin për Mua, thuaju se Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit kur ai më lutet.’(Bekare 2/186), “Lutmuni Mua se do t’ju përgjigjem!”(Gafir /60), “Zoti im nuk do t’ju përfillte sikur të mos ishte lutja juaj.”(Furkan /77) tregohet qartë rëndësia e lutjes. Edhe i Dërguari i Zotit (s.a.s) i ka këshilluar shokët dhe të afërmit e tij të luten, dhe vetë nuk ka pushuar së luturi Zotit përgjatë gjithë jetës së tij.

Lutja e përshkruar dhe treguar me kaq madhështi zë një vend shumë të rëndësishëm në jetën e besimtarit. Një njeri i cili ngre duart lart i drejtohet Zotit kështu: “Të gjitha shkaqet kanë heshtur. Asnjë ngjarje nuk mund të ndikojë në rrjedhën e natyrës dhe askush nuk mund të më zgjasë dorën dhe të zgjidhë hallet e mia. Unë i ngrita duart dhe po i lutem Atij, Më të madhëruarit, Atij që vazhdimisht zërin ma dëgjon, frymëmarrjen ma ndjen, Ai i cili më thotë se është më afër se damari im i qafës, më premton se do t’i përgjigjet lutjes sime, mbajtësit të premtimeve, Atij i cili nuk më thotë se nuk kam fuqi të plotësoj lutjen tënde dhe të mbaj fjalën e dhënë.”

Me anë të lutjes njeriu i drejtohet Zotit me ndjenjën e mallit. Ne mund të jemi larg Tij, ashtu siç jemi larg diellit. Por Ai, ashtu siç bën Dielli me anë të rrezeve të ngrohta, përkëdhel gjithnjë kokën tonë, është prezent në çdo gjendje tonën dhe nuk kthen asnjëherë duarbosh zemrën që i lutet. Ai është i mëshirshëm me robin e tij më shumë se ç’është nëna dhe babai me fëmijën e vet. Profeti i nderuar ia tregon shokëve këtë të vërtetë me anë të një tabloje:

Një grua e cila kërkonte fëmijën e saj mes robërve pas mbarimit të luftës, vraponte sa majtas djathtas, here vraponte e here ndalej, përqafonte çdo fëmijë që i dukej si fëmija i saj. Kur e shihte se nuk është fëmija i saj, e linte dhe vazhdonte kërkimin. Më në fund arriti ta gjente, e përqafoi fort dhe i mori erë. Dhe pikërisht në këtë moment Profeti i Allahut (xh.sh) u tregon këtë tablo shokëve dhe i pyet: “A e shihni këtë nënë? A mund ta hedh në zjarr fëmijën e saj që e ka strukur fort në gji?”, “Jo,kurrsesi, nuk mund ta hedhë.”, u përgjigjën sahabët. Pas kësaj përgjigjeje Profeti iu drejtua shokëve me këta fjalë: “Zoti është më i mëshirshëm ndaj robërve të Tij sesa kjo nënë.”

Si të lutesh?

Përsa i përket mënyrës sesi t’i lutemi Zotit, mund të themi se pikë së pari kur i lutemi Zotit duhet të besojmë sinqerisht se Ai do të na e pranojë lutjen. Asnjëherë nuk duhet të lutemi me mendimin se edhe po nuk u pranua, gjithsesi nuk prish punë, apo t’i lutemi Zotit sikur po testojmë fuqinë e Tij në ka apo nuk ka mundësi të na i pranojë lutjet. Para dhe gjatë lutjes duhet besuar realisht se Allahu është i Plotfuqishëm dhe ka fuqinë të realizojë çdo gjë. Nëse Ai dëshiron, mund ta bëjë të varfrin mbret për një çast të vetëm. Prandaj le të punojmë shumë për pranimin e lutjes dhe le të kërkojmë nga Zoti arritjen e objektivave më të larta, p.sh., në vend të parajsës duhet të kërkohet Firdeusi. Ja pra, kështu na ka mësuar të lutemi Profeti ynë i nderuar.

Së dyti, lutjet duhen drejtuar me mendimin se Zoti plotëson dëshirat dhe kërkesat tona, duke pranuar kështu fuqinë dhe forcën e Tij të pafund. Përsëri ne e dimë se Ai mundet dhe ka fuqinë e krijimit të një bote tjetër siç është parajsa dhe prandaj kërkojmë nga Ai Xhenetin. Kjo nuk është vetëm lutje apo pasqyrim i gjendjes sonë, por është një lloj peticioni i thellë në të cilin shprehim të gjitha cilësitë e madhëruara dhe emrat e Tij të bukur. Një lutje e tillë është një adhurim i pastër dhe asnjëherë nuk refuzohet.

Krahas kësaj kur lutemi nuk duhet të neglizhojmë, por të lutemi me shumë këmbëngulje dhe vendosmëri. A i keni pare lypësit para dyerve të xhamive, nganjëherë thonë fjalë të tilla dhe kërkojnë diçka me aq shpirt, saqë ty nuk të bëhet të ikësh pa u dhënë diçka. Ja pra, dhe ne duhet t’i lutemi Zotit në atë mënyrë nëse duam të na mbështjellë me mëshirën e Tij. Disa njerëz kanë shpëtuar nga këta lutje të përzemërta dhe të sinqerta. P.sh., njeriu mund të lutet kështu: “O Zot! Unë e njoh veten time, me veprat që kam bërë e kam të vështirë të futem në parajsë, por nëse Ti e urdhëron diçka të tillë, atëherë edhe mundem. Edhe nëse më shpie në zjarrin Tënd, do t’u flas për Ty njerëzve aty.” Ndërsa një tjetër lutet kështu: “O Zot! Unë e njoh veten time, por të njoh dhe Ty; mua nuk më shkojnë këta mëkate, po Ty me të vërtetë që të takon falja.”

Fjalë të tilla të përzemërta sjellin mëshirën e Zotit dhe Ai bën atë që i shkon madhështisë së Tij, dhe i bën lutjet e tyre një mjet për faljen e mëkateve.

Njeriu duhet të shkrihet në atmosferën e lutjes dhe asnjëherë nuk duhet të lodhuri nga lutja. Zoti padyshim që e dëgjon zërin e njeriut por nganjëherë njeriu kërkon gjënë e gabuar dhe Zoti i jep atë që është më e mirë për të. Siç e thotë dhe një dijetar i njohur, robi i kërkon Zotit një djalë, dhe Zoti i jep atij një vajzë si Merjemja e nderuar, e cila do të jetë më e mirë për të.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-