Opoja.net

STUDENTI OPOJAR QË PËRJETOI TMERRET E KAZAMATEVE SERBE

Opoja Personazhe

“NË EMËR TË POPULLIT” SERB DËNOHEN SHQIPTARËT!

Shkruar nga: Muharrem Qafleshi

Isam Abdullahu nga Kuklibegu i Opojës qysh i ri ëndërronte që një ditë të bëhej një veterinar i mirë, për t’iu ndihmuar blegtorëve të Dragashit dhe fare nuk mendonte se në vend të diplomës së fakultetit do të merrte aktvendimin e Gjykatës së Qarkut në Beograd, me të cilin dënohej me burgim të rëndë, i akuzuar për terrorizëm!

Është mjaft prekës rrëfimi i opojarit Isam Abdullahut, i lindur në fshatin Kuklibeg të Dragashit, i cili pas njëzet pranverave të kaluara në bukuritë përrallore të bjeshkëve të Sharrit, nga dëshira e madhe për t’u bërë veterinar, shkon në Beograd, ku e futë në xhep indeksin aq të dëshiruar. Ishte fillimi i viteve të nëntëdhjeta. Rrugëtimi i parë i gjatë deri në këtë kryeqytet ishte i paharrueshëm. Në kokë i silleshin vërdallë mendime të ndryshme. Nacionalizmi serbomadh ishte çuar peshë. Pozita e shqiptarëve ishte vështirësuar tejmase. Rreziku kanosej nga çdo anë…
Atje vendoset në konviktin e studentëve. Studimi ishte gjëja kryesore që e preokuponte. Vitet kalonin dhe indeksi i tij mbushej me nota të mira. Dhe kur prite se së shpejti do të kthehej në vendlindje me diplomën e veterinarit në xhep, ndodhi ajo më e keqja behët pre e skenarëve më monstruozë të UDB-së famëkeqe serbe.

Arrestimi i papritur
Posa filluan bombardimet e NATO-s ai iku nga konvikti i studentëve dhe pasi ishte i pamundshëm largimi nga qyteti, vendoset në banesën e një kushëriri. “Ishte 2 maji i vitit 1999, kur nga një student goran dëgjova se është burgosur një grup studentësh shqiptarë. Isha mjaft i interesuar që të kuptoja sa më parë identitetin dhe shkakun e një arrestimi të tillë të papritur. Kam tentuar mjaft që me anë të telefonit të kuptojë diç, por pa sukses…”
Në këtë mënyrë e fillon rrëfimin e dhëmbshëm Isami, i cili tani është i punësuar në shërbimin doganor në Qafë të Morinës. Gjatë rrëfimit, sytë e tij ishin të ngujuar në një pikë. Shokët e miqtë e tij pohojnë se atij nuk i pëlqen të flasë për tmerret e përjetuara në kazamatet serbe. Në vazhdim të rrëfimit ai përkujton se deri më 4 maj nuk ka kontakuar me askënd, duke mos dalur fare nga banesa e kushëririt. Ndërkaq në mëngjezin e 5 majit, papritmas, në derën e banesës dëgjohen krisma të forta. Në banesë ishte edhe gruaja e kushëririt me dy fëmijë.” Pasi e hapën derën, me shpejtësi në banesë hynë pesë agjentë të sigurimit të UDB-së, kurse në korridor kishte dyfish më shumë, të cilët ishin të pajisur me trasta të mbushura, pa e ditur ne se ç’kishin në to.Me shpejtësi u shpërndanë në tërë banesën, duke na ngujuar neve në një qoshe, për të mos guxuar të lëviznim fare, ndërsa ata as që u prezantuan se kush ishin…” Pas një gjysmë ore i fusin në banesë dy banorë të ndërtesës, mbase si dëshmitarë. Dukej qartë se i kishin sjellë me dhunë. Kur njërit prej tyre i urdhërojnë që të ulet, ai refuzon me këto fjalë: “ Jam i paftuar dhe nuk jam këtu mysafir. Më keni prurë pa vullnetin tim.” Më pas kanë tentuar që të nxjerrin diç nga trastat dhe të mshefin në banesë, mirëpo, mbase e kanë parë se do t’i rrezikojnë fëmijët.po qe se vendosin armë e eksploziv, prapë nuk kanë vendosur asgjë në banesë. Më pas e marrin me vete Isamin, i cili posa del nga ndërtesa sheh se ajo ishte e rrethuar nga shumë agjentë të sigurimit, të cilët ishin të armatosur. “ Më futën në automjetin e tyre ku filluan përnjëherë të më rrahin. Më pas më kanë dërguar në një stacion të policisë. Aty më futën në një zyrë ku ishin 5-6 persona. Posa hyra i pyeta se pse më kishin arrestuar.Më thanë se do ta kuptoja shpejt. Ndërkohë filluan torturat më makabre, me ç’rast e kam humbur vetëdijen. Kur erdha në vete isha me kërbaç në gojë dhe i lagur gjer në palcë. Vazhduan me rrahje në të gjitha pjesët e trupit, duke më thënë se a e dija tani pse jam arrestuar. Iu përgjigja : po, sepse jam shqiptar. Nuk frikësohesha fare, sepse vdekja ishte ajo që e dëshiroja sa më parë, për të shpëtuar nga torturat, të cilat vazhduan edhe 6 orë të tjera.”
Ndërkohë ia treguan një fishekë të kalibrit të armës dhe i thanë: ky është për ty. Isami nuk reagoi fare. As që mundte të bënte një gjë të tillë. Pastaj e kapën për të dyja këmbët, e nxorrën nga dritarja e katit të gjashtë, duke e mbajtur kështu të vjerrur. Ndërkohë e kërcënuan se do ta hedhin poshtë. E tëra kjo ndodhi në ditën e parë të arrestimit. Njëri nga inspektorët i tha se e njeh mirë, sepse e ka takuar shpesh në konvikt të studentëve. Ai u prezantua si boshnjak i Malit të Zi. “Edhe njëherë mora guximin dhe e pyeta: Pse jam arrestuar”? Do të njoftohesh më vonë, ma ktheu.
Metodat e torturave më barbare ndërronin për çdo ditë. Mandej e mbanin në bodrume të ndryshme, gjithnjë me thes në kokë, andaj nuk e dinte se ku ndodhej. Këto tortura fizike dhe psikike vazhduan plotë dy muaj. Ndërkohë e ushqenin sa për të mbijetuar. Më pastaj inskenuan varjen dhe pushkatimin e tij. E pyetën se cila ishte dëshira e tij e fundit, siç praktikohet para pushkatimit. “Më çuan në një vend të panjohur , ku më dolën përpara disa ushtarë viganë, me rroba të zeza, të cilët mbanin në duar armët e tyre, të gatshëm që të më pushkatojnë. Për mua tani ishte krejt njësoj. Ndjenjat ishin topitur fare.

E mallkoja nënën që më kishte lindur
Vdekja dhe jeta tani tani për mua s’ kishin asnjë kuptim. Ende nuk e dija se çka kërkonin nga unë. Në një moment njëri prej tyre më tha: Do ta shpëtoj jetën, nëse bashkëpunon me ne. Me këtë rast filluan të ma përmendin një organizatë studentore, e cila, sipas tyre thirrej NPK (LPK). Thash se nuk kisha dëgjuar për një organizatë të tillë. Edhe ditët tjera ishin të ngjajshme. Një ditë më çitën për të më varur”. Ia kishin çitur lakun e litarit në qafë. E hypin në një karrigë. Iu kërcënuan prapë:- Duhët të tregosh çdo gjë që di! Heshti. Njëri prej tyre i mëshoi karrigës me këmbë. Mbeti i vjerrur në litar. Në atë çast njëri prej tyre e pret shpejt litarin. Tani për te ishte krejt njësoj, sepse e dinte se një ditë e pretë vdekja. Andaj sa më parë aq më mirë. E dinin mirë që familja e tij ishte deportuar nga Kosova dhe për këtë filluan ta maltretojnë edhe psiqikisht në mënyra të ndryshme, duke i thënë se fëmijët e tij do të vdesin në rrugë.
“Pas disa ditësh më çuan diku tjetër. Gjatë tërë kohës isha me thes në kokë. Në një korridor të gjatë pashë shumë inspektorë të sigurimit, të cilët nuk i kisha parë më parë. Isha krejt i rraskapitur, andaj nuk mund të qëndroja në këmbë. Pastaj më futën në një dhomë. Më urdhëruan që të qëndroja në majë të gishtave të këmbës. Më vonë në dhomë hynë dy persona , për mua të panjohur. Më përplasën për dysheme dhe më lidhën në qafë me gajtan të rrymës elektrike”. Pastaj filluan ta shkelin në të gjitha organet, edhe në ato gjenitale, duke i thënë se është shumë kokëfortë dhe nuk pranon asgjë. Dhe kur ky i pyet se çka duhët të pranojë, ata ia dhanë një letër të madhe dhe një laps dhe filluan t’i diktojnë se si gjoja ka ekzistuar kjo organizatë studentore, anëtarë i të cilës isha edhe Isami, se si kishin tubuar para nga punëtorët dhe biznesmenët shqiptarë në Beograd, me të cilat kishin blerë armë, të cilat gjoja i kishin dërguar në Kosovë, se si para bombardimeve i kishin vizatuar skicat, me caqet ushtarako- policore në Beograd dhe se si kishin vëzhguar lëvizjet e tyre. “Më bëhej se po lexoja një roman fantastik. Ironia bëhet edhe më e madhe kur më thanë të shkruaj se kishim planifikuar helmimin e ujësjellësit të Beogradit, vënien e eksplozivit në strehimoret për mbrojtje atomike, në Kuvendin federativ, në konvikte, menza studentore, dhe në rrjetin elektrik në shumë pika të qytetit. Më këtë rast u binda se të gjitha këto mund t’i montojë vetëm fantazia e shfrenuar e UDB-së serbo- sllave. Pastaj i thanë që të shkruajë se armët dhe eksplozivin këta i kishin ruajtur në banesat e studentëve të arrestuar si dhe në dyqanin e Zef Palucës, argjentar shqiptar që punonte në Beograd. Të tëra këto, Isami i hudhi poshtë duke u thënë troq se ishin vetëm montime. Mirëpo ata i thanë se ai të gjitha këto duhët t’i pranojë patjetër nëse dëshiron të jetojë. Më vonë e detyruan që t’i nënshkruajë. Vetëm atëherë u prezantuan, duke i treguar se me kë ka të bëjë. “Kuptova se ishin anëtarë të njësitit special antiterrorist të UDB-së. Tani plotësisht e kisha të qartë se akuzohesha për terrorizëm”. Fill pas kësaj e dërguan në CZ ( Burgu Qendror), ndërsa torturat nuk kishin të ndalur.
Një ditë e nxorrën nga burgu dhe e dërguan në një pjesë të qytetit , e futën në një stacion të policisë së trafikut dhe i thanë: – Ky është momenti i fundit për ty. Më pas e futën në një dhomë të madhe me plotë reflektorë dhe kamera televizive dhe i thanë : -Nëse do ta thuash para kamerave atë që e kërkojmë ne, do të mund ta vazhdosh jetën. Isami prapë refuzoi kategorikisht. Atëherë filluan sërish torturat. Mandej e tërhoqën zvarrë deri te makina e tyre. Gjatë rrugës për në burg katër agjentë vazhduan ta rrahin egërsisht. Po të ishte burgu pak më larg sigurisht se do ta pësonte me jetë.
Prej kësaj dite mbaruan torturat e inspektorëve. Mirëpo ata i zëvendësuan gardianët e burgut, të cilët nuk ishin aspak më të mirë. Pikërisht pas dy muajsh e dërguan para gjykatësit hetues, i cili e priti me arrogancë të paparë. Aty ishte i pranishëm edhe avokati shqiptar që jetonte në Beograd, Hysni Bytyqi. Edhe para gjykatësit hetues ai nuk pranoi asgjë, ngase nuk kishte se çka të pranonte. Pas disa ditësh ngritet aktakuza kundër Isamit, katër studentëve të tjerë shqiptarë dhe argjentarit Zef Paluca.

“ Në emër të popullit” serb, gjykohen shqiptarët!?
Seancat gjyqësore, ku gjykoheshin pesë studentë shqiptarë nga Kosova dhe një argjentar, zgjati, me ndërprerje, rreth gjashtë muaj. Dëshmi e vetme kundër tyre ishte armatimi dhe eksplozivi, të cilin, gjatë arrestimit të tyre, e kishin vendosur në banesat e tyre agjentët serbë. Me këtë rast u prezantuan edhe shumë harta e skica, të cilat i kishin përgatitur vetë inspektorët e UDB-së famëkeqe. Si dëshmi tjetër u paraqit edhe një fletore me emrat e mbiemrat e tyre për të vërtetuar anëtarësinë e tyre në këtë organizatë “terroriste”. Të gjitha këto ishin të përgatitura me një skenar, të cilit do t’ia kishte lakmi edhe vetë Hiçkoku i famshëm. Në atë fletore ishte edhe një regjistër i armëve të cilat gjoja këta i posedonim.
“Gjatë tërë kohës së gjykimit kemi qenë të kërcënuar me burgim të rëndë shumëvjeçar, ngase avokati im theksoi se dënimi me vdekje ishte hequr në vitin 1987. Dhe, më në fund shpallja e aktvendimit për dënimin tonë ishte më shumë se tragjik. Në këtë aktvendim, i cili kishte plotë 65 faqe, të gjashtët u dënuan me burgim shumëvjeçar. Kështu, heroi i shkrimit tonë u dënua me gjashtë vjetë e gjysmë, Petrit Berisha nga Peja, i cili akuzohej si udhëheqës i grupit “terrorist”, dënohet me 12 vjetë, vëllau i tij Dritoni, 6 vjet, Driton Meqa, nga Gjakova, me 7 vjet, Shkodran Dërguti, nga Prishtina, gjithashtu 7 vjetë (të gjithë studentë që studionin në Beograd), ndërsa argjentari Zef Paluca, i cili ishte larguar më parë nga Beogradi, ishte gjykuar në mungesë, duke u dënuar me 8 vjetë.
Më në fund arriti liria
Në pranverën e vitit 2001, për të treguar “demokracinë” para opinionit ndërkombëtar, e amnistuan këtë grup “terroristësh” shqiptarë. Mbeti akoma në burg vetëm Petriti, i cili lirohet më vonë.
Kështu, Isam Abdullahu, pas 23 muajsh të kaluara në qelitë e CZ-së famëkeqe të Beogradit , që i ngjasojnë nëntë rrathëve të “Ferrit “ të Dantes, me 7 mars të vitit 2001 shkel prapë trollin, tashmë të Kosovës së lirë. Megjithatë, të gjitha vuajtjet e tij dhe të familjes Abdullahu, e cila gjatë tërë kësaj kohe jetoi në pritje e ankth të paparë, nuk do të fashiten kurrë në kujtesën e tyre…

Mos i humb

Dragashi një krahinë atraktive turistike

Opoja.net

Shtyhet për të pestën herë gjykimi për falsifikim të dokumenteve

Opoja.net

I kapet arma ilegale në barakë të pëllumbave, arrestohet

Opoja.net

Koordinatori Hoti takohet me fituesit e garave republikane

Opoja.net

Organizohet Kampi Rinor në Dragash për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare

Opoja.net

Blegtoria si degë ekonomike dikur ishte jetike për opojanët

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net