Kryetari i Komunës së Dragashit, z.Bexhet Xheladini, së bashku me stafin komunal, priti në një takim të rëndësishëm përfaqësues të Parkut Kombëtar të Mavrovës nga Komuna Mavrovë-Rostushë e Maqedonisë së Veriut. Takimi solli shkëmbim të vlerësueshëm të informacioneve mbi menaxhimin e parqeve të natyrës dhe sfidat që hasen në zhvillimin e tyre.
Kryetari Xheladini i prezantoi përfaqësuesve nga Maqedonia e Veriut një historik të shkurtër të Komunës së Dragashit, duke theksuar çështjet e kontestit pronësor me Agjencinë e Parqeve të Kosovës (AKP) dhe pengesat në investime që janë krijuar si pasojë e shpalljes së më shumë se gjysmës së territorit të komunës si park kombëtar.
Në anën tjetër, përfaqësuesit nga Parku Nacional i Mavrovës ndanë informacione të rëndësishme mbi menaxhimin e parkut, përfshirë shtrirjen e tre zonave të parkut, përqindjen e përdorimit të secilës zone dhe rregullat e ndërtimit në zonat e tyre të ndryshme. Këto informacione u përcollën në veçanti për z.Uzair Hamza, anëtar i Komunës së Dragashit në Grupin Punues pranë Ministrisë së Planifikimit Hapësinor, që është përgjegjës për përgatitjen e Planit të ri Hapësinor për Parkun Nacional “Sharri”.
Delegacioni nga Maqedonia e Veriut shprehu interesim dhe ofroi mundësinë e furnizimit të Komunës së Dragashit me lëndë djegëse (dru) nga pyjet e Parkut Kombëtar të Mavrovës, duke hapur hapa të rëndësishëm për bashkëpunimin e ardhshëm në fushën e kujdesit për mjedisin dhe zhvillimit të qëndrueshëm. /Opoja.net/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.