Rreth 300 konsumatorë të rinj nga administrata e Komunës së Dragashit, tash e tutje do të jenë përfitues të shërbimeve telekomunikuese nga Telekomi i Kosovës. Kjo u bë e mundur të premten pas nënshkrimit të kontratës për ofrimin e shërbimeve telekomunikuese për Komunën e Dragashit, në mes të menaxherit regjional të Telekomit të Kosovës në Prizren, Munip Gashi, dhe kryetarit të kësaj komune, Shaban Shabani.
Sipas kësaj kontrate, të gjithë punonjësit e Kmunës së Dragashit, do të mund të komunikojnë më shumë, por me shpenzime më të ulëta, pasi që, pakot e përzgjedhura janë shumë atraktive dhe më të favorshme që mundësojnë dhe lehtësojnë këtë komunikim dhe jo vetëm. “Pas shumicës së komunave që tashmë i janë bashkuar VALA-s dhe kanë në shfrytëzim shërbimet dhe produktet e saj, sot nënshkruam kontratë edhe me komunën e Dragashit, për ofrimin e shërbimeve telekomunikuese që, përveç se do të lehtësojë komunikimin e punonjësve komunalë, është edhe një tjetër dëshmi se Telekomi i Kosovës edhe më tutje mbetet operatori i telefonisë dhe internetit më i preferuar në vendin tonë”, tha Munip Gashi, menaxher regjional i Telekomit të Kosovës në Prizren.
Kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, tha se shpreson që nënshkrimi i kësaj kontrate do të mundësojë ofrimin e shërbimeve më cilësore, duke i përmbushur kështu nevojat e shtuara për komunikim të shpejtë. “Telekomi i Kosovës ofron shërbime shumë cilësore dhe të favorshme për qytetarët tanë. Prandaj, të gjitha komunat dhe ndërmarrjet publike në rajonin e Prizrenit po i shfrytëzojnë shërbimet e ofruara nga ky operator publik”, u shpreh Shabani.
Marrëveshja e sotme dëshmon përkushtimin e Telekomit të Kosovës për të plotësuar në vazhdimësi nevojat e të gjithë klientëve, institucioneve publike dhe atyre private, për qasje sa më të lehtë në shërbimet e telefonisë mobile, fikse, internetit dhe IPTV-së. /Radio Sharri/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.