Tragjedi në Dragash: Shkaku i COVID-19, dy vëllezër vdesin brenda tre ditëve

Opoja.net Opoja.net Opoja

Një tragjedi ka ndodhur në familjen Qafleshi nga Dragashi, brenda tri ditësh kjo familje ka humbur dy persona si pasojë e koronavirusit.

Vëllëzërit Shemsedin dhe Avdurrahim Qafleshi nuk kanë arritur ta fitojnë betejën me koronavirusin, kështu njëri ndërroi jetë në moshën 57 vjeçe e tjetri në të 60-at.

Të dy ishin duke u trajtuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Lidhur me rastin Gazeta Express ka kontaktuar me kryetarin e Dragashit, Shaban Shabani, i cili tha se vdekja e vëllëzërve Qafleshi është humbje e madhe.

“Para 3 ditësh ka ndërruar jetë njëri prej vëllëzërve, tani pas dy ditësh vëllai tjetër. Ata kanë qenë duke u trajtuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, fatkeqësisht nuk e kanë përballu luftën me koronavirusin”, tha Shabani.

Tutje ai shtoi se gjendja me koronavirusin në komunën që udhëheq është stabile dhe po bëhet gjithçka për tejkalimin e kësaj situate.

Ndërkohë, komuna e Dragashit i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Qafleshi, me rastin e ndarjes nga jeta të dy vëllezërve.

“Me pikëllim të thellë e morëm lajmin e kobshëm për ndarjen e parakohshme nga jeta të vëllezërve nga Bellobradi, Shemsedin dhe Avdurrahim Qafleshi të prekur nga COVID-19.  Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve të të ndjerve, shokëve dhe gjithë qytetarëve. Ju qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, thuhet në telegram ngushëllimin e tyre.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, që nga fillimi i pandemisë në vendin tonë, numri total i rasteve pozitive është 15,938 raste nga 71,865 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 638 raste të vdekjes.

Ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsejtë 14,143 raste, kurse numri i rasteve aktive është 1,157.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-