Ajo ishte nënë. Dhe sikur të gjitha nënat, ajo e donte shumë fëmijën e saj. Por, ai ishte djalë, i lindur në një kohë kur fëmijëve meshkuj nuk u lejohej të jetonin. Emri i tij ishte Musa a.s.. Edhe nëna e tij, gjithashtu u përball me tmerrin e një tirani të madh, Faraonit.
Nga frika se një ditë do të mundej, Faraoni urdhëroi ushtarët e tij të vrisnin secilin fëmij mashkull të lindur nga populli i Izraelit.
Kur lindi Pejgamberi Musa a.s., nëna e tij kishte frikë për jetën e tij. Dukej sikur nuk kishte rrugëdalje. Por, siç zakonisht ndodh kur mendojmë se nuk ka rrugëdalje, Allahu ishte aty për të.
Ai, shpalli në Kur’an: “Ne nënën e Musait e inspiruam: t’i japë atij gji, e kur të keshë frikë për të, atëherë atë hidhe në lumë, e mos u frikëso as mos u pikëllo…” (Al-Kasas, 7)
Imagjinoni se çfarë i është kërkua të bënte. Imagjinoni ta vendosni fëmijën tuaj të porsalindur në një lumë.
Por, gjithashtu, imagjinoni se jeni duke fituar diçka me vlerë të paçmueshme, një premtim nga Allahu.
Nënës së Musait a.s., i është premtuar, nuk kishte nevojë të frikësohej dhe të pikëllohej sepse Allahu do ta mbrojë djalin e saj dhe do t’ia kthejë asaj. Për më tepër, Allahu i premtoi asaj se djali i saj do të bëhet i Dërguari i Tij.
Ashtu siç kishte premtuar Allahu, Musain e vogël e kishte gjetur gruaja e Faraonit.
Allahu thotë në Kuran: “E atë e gjeti familja faraonit, ashtu që në fund ai t’u bëhet atyre armik e dëshpërim. Vërtet, faraoni, Hamani dhe ushtria e tyre ishin kundërshtarë (gabonin me qëllim). E gruaja e faraonit tha: “Shpresë gëzimi për mua dhe për ty, mos e mbytni atë, ndoshta do të na sjellë dobi ose do ta adoptojmë si fëmijë”. Pra ata nuk e dinin rrjedhimin.” (Al-Kasas, 8-9)
Në një kohë kur gjithçka dukej e pamundur, Allahu kërkoi nga një grua që të besonte tek Ai. Në këmbim të këtij besimi, Allahu i premtoi asaj mbrojtjen e Tij. E Allahu gjithmonë i mban premtimet e Tij. Ai e mbajti premtimin që i bëri asaj. Në fakt, si provë e fuqisë së Tij, Allahu madje bëri që mbrojtja të vije përmes armikut nga i cili ajo kishte frikë.
Allahu shpall për Profetin Musa në Kur’an: “Atëherë kur nënën tënde e frymëzuam me atë që nuk kuptohet ndryshe pos me inspirim (me frymëzim – shpallje). (Ne i thamë) “Vëre atë (fëmijë, Musain) në arkë, e mandej hidhe në lumë e lumi e hedhë në breg, atë e merr armiku Im dhe i tij. E nga ana Ime mbolla (në zemra të njerëzve) dashuri ndaj teje, e që të edukoheshe nën mbikëqyrjen Time”. (Taha, 38-39)
Në gjithë këtë ekziston një shenjë dhe mësim i qartë. Në këtë mënyrë, Allahu i tregoi asaj, si dhe të gjithë njerëzve, se edhe nëse vrasësi ju mban thikën në fyt, e Allahu ju mbron, vrasësi nuk mund t’ju dëmtojë.
Në këtë histori ekziston edhe një mësim i shkëlqyeshëm rreth mbështetjes tek Allahu. Përmes kësaj historie, Allahu i tregon njerëzimit se vetëm përmes mbështetjes së plotë dhe besimit tek Ai, mund të ketë mbrojtje të vërtetë.
Sikur nëna e Musait do të kishte zgjedhur të mbështetej tek ajo dhe në sigurinë e dukshme të shtëpisë së saj, djali i saj do të ishte vrarë. Por, duke u mbështetur tek Allahu, ajo e shpëtoi djalin e saj dhe shpëtoi nga pikëllimi. Nga kjo histori kemi mësuar që sado i pamundur të duket, premtimi i Allahut është gjithmonë i vërtetë.
Allahu thotë në Kuran: “Dhe ashtu atë e kthyem te nëna e vet që ajo të jetë e kënaqur e jo e pikëlluar dhe që ta kuptojë ajo se premtimi i All-llahut është i vërtetë e i sigurt, por shumica e tyre nuk e dinë.” (El-Kasas, 13)
Allahu i Madhërishëm në Kur’an na tregon këto histori për të na mësuar gjërat që shumica prej nesh nuk i dinë. Ekziston një mësim i çmueshëm në historinë e nënës së Musait për besimin në fuqinë dhe premtimin e Allahut. Dhe vetëm në atë besim mund të gjejmë mbrojtje edhe pse jemi në duart e armikut.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.