Ushtarakët e dalluar dekorohen me medalje presidenciale

Opoja.net Opoja.net Kosova

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nderuar ushtarakët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në shënimin e Ditës së Forcës.

Para trupave ajo ka thënë se ushtria e Kosovës po shndërrohet në ushtri moderne, duke shtuar më tej se e ka vendin në NATO. Osmani ka ndarë medalje presidenciale për ushtarakët e dalluar.

“Si partner i besueshëm i ushtrisë më të fuqishme në botë, asaj të Amerikës, dhe partnerëve të tjera brenda NATO-s. Muaj më parë pjesëtarë të FSK për herë të parë zbarkuan në një mision paqeruajtës ndërkombëtar në Kuvajt. Ky ishte hapi i parë por tepër i rëndësishëm për të parë të realizuar ëndrrën tonë për të qenë garantues të paqes ndërkombëtare”, ka thënë ajo.

Presidentja Osmani, tha se furnizimi me pajisje ushtarake, të dhuruara dhe të blera së fundmi, janë dëshmi se Kosova po i ndërton kapacitetet e nevojshme për vendin.

“Në kohën që ne po e zhvillonim ushtrinë me forcat e NATO-s, fqinji ynë verior ishte si kërcënues i vazhdueshëm i paqes në rajon, po zhvillonte manovra me kërcënuesin tjetër global, Rusinë. Ushtria e Kosovës ka themele të fuqishme ngase është ngritur e strukturuar mbi sakrificën e brezave të tërë të sublimuar në sakrificën sublime të komandant Adem Jasharit dhe familjes Jashari në luftën e UCK-së. Anëtarësimi në NATO është objektiv strategjik i Kosovës për të cilin do të angazhohemi vazhdimisht. Për këtë qëllim po e rrisim përkrahjen tonë për ushtrinë që të sigurohemi që forcat tona të armatosura të integrohen sa më parë në strukturat e NATO-s”, përfundoi presidentja.

Medalje presidenciale të meritave u janë ndarë: Nëntoger Arilena Shala, rreshter Fazli Kashtanjeva, kapiten Fitim Kadrijaj, rreshter Hysen Fetahu, nëntoger Ilirjanë Bunjaku, tetar Sokol Ahmeti.

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-