Vërejtje gjyqësore ndaj të akuzuarit në Dragash, pranoi se me kamion rrëzoi shtyllën elektrike

Opoja.net Opoja.net Kronika Opoja

Gjykata Themelore në Prizren, dega në Dragash, ka shqiptuar vërejtje gjyqësore ndaj të akuzuarit për veprën penale “asgjësim, dëmtim, apo heqje e instalimeve publike”, Ferit Avdurrahmani.

Gjithashtu, i akuzuari është obliguar me shpenzimet procedurale dhe atë 20 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 30 euro për viktimave e krimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimin ndaj tij, e ka shpallur gjykatësi i çështjes Bekri Vehapi, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të enjten, pasi paraprakisht i akuzuari e ka pranuar fajësinë se ka kryer një vepër të tillë penale.

“Me vjen keq, e gjitha ka ndodhur pa dashur, gjatë punës. Unë nuk kam dashur ti shkaktojë dëm askujt, nuk kam probleme me askënd dhe asnjëherë s’kam qenë në gjykata”, ka thënë i akuzuari.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurori Atnor Skorro, pasi që siç ka thënë ai, është bërë në përputhje me provat në të cilat mbështet aktakuza dhe në mënyrë të vullnetshme.

Prokurori i ka propozuar  gjykatës, që gjatë shqiptimit të dënimit t’i merr parasysh të gjitha rrethanat  lehtësuese.

Sipas aktakuzës së ngritur më 25 qershor 2019, nga Prokuroria Themelore në Prizren, Ferit Avdurrahmani akuzohet se më 14 maj 2019, rreth orës 12:30, aty tek vendi në dalje të fshatit Leshtan, e në drejtim të fshatit Radesh të Komunës së Dragashit, duke vepruar në pakujdesi dëmton instalimin publik të rrjetit të elektrik.

Në aktakuzë thuhet se duke vozitur mjetin transportues, pronë e kompanisë “Vllaznimi”, kalon nga rruga alternative, meqenëse rruga kryesore ishte e bllokuar dhe me pjesën e kranit të automjetit të punës, kap telat e shtyllës elektrike.

Sipas aktakuzës, nga forca e tërheqjes është këputur shtylla elektrike, e cila bie në tokë së bashku  me telat, duke krijuar rrezik për jetën e njerëzve dhe pasurinë, e me të cilat veprime kompanisë KEDS, distrikti në Prizren, i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Me këto veprime, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “asgjësim, dëmtim, apo heqje e instalimeve publike”, nga neni 357, paragrafi 2 e Kodit Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-