Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të të gjitha
botëve. Salavati dhe selami qofshin mbi pejgamberin Muhamed (savs), mbi
familjen e tij të nderuar, mbi sahabët dhe të gjithë pasuesit e tij.
Vëllezër të respektuar!
Edhe pse netët e gjata të dimrit kanë kaluar dhe tash
dita është zgjatur, ne akoma kemi mundësi të shoqërohemi me Kuranin. Sidomos
tash, kur jemi në këtë gjendje të izolimit, këtë kohë mund ta shfrytëzojmë edhe
për përfitim shpirtëror.
Natyrisht, shejtanit të mallkuar kjo nuk i pëlqen,
prandaj ai gjithmonë na vendos detyra të reja, kështu që në vend të Kuranit, në
dorë na vendos gjëra të tjera, si televizorin, në të cilin ka me mijëra
kanale të ndryshme, ose telefonin, në të cilin ka me mijëra faqe të
ndryshme, dhe kryesisht informacione të panevojshme. Prandaj, ne duhet të mbledhim
forcë që ta fikim televizorin, ta vendosim mënjanë telefonin tonë, dhe pastaj,
ta heqim pluhurin nga mushafi dhe ta hapim.
Që të arrij ta bëjë këtë, njeriu modern, i cili është mësuar
vetëm me kënaqësi dhe përfitim, ai së pari duhet ta kuptojë se pse duhet të lexohet
Kurani, dhe të mësojë se çfarë kënaqësie dhe përfitimi ka prej tij. Zakonisht,
njeriu në fillim heq dorë (dorëzohet) – pse duhet ta lexojë Kuranin kur ai nuk
e kupton atë? Ose pse ta lexojë përkthimin e Kuranit, nëse atë sevap nuk mund
t’ua dhurojë të vdekurve të tij? Dhe gjëra të ngjashme.
Prandaj, xhemat të dashur, detyra ime sot është që ta
kujtojmë rëndësinë dhe vlerën e leximit të Kuranit, me qëllim që të njihemi me
Kuranin, në mënyrë që ai një ditë, dhe sa më shpejt aq më mirë, të bëhet mik i ynë
i vërtetë.
Për ta dashur Kuranin dhe për tu miqësuar me të, çështja
e parë e rëndësishme të cilën duhet ta kuptojmë është se, Kurani është
fjalim i Allahut, i cili ka rrjedhë nga Goja e Tij fisnike, të cilin shumë kohë
më parë, e ka regjistruar Pena e Tij Fisnike në Pllakën e Ruajtur (Levhi
Mahfudh), ku më pas përmes melekut fisnik Xhibrilit, në pjesë, i është
shpallë pejgamberit fisnik Muhamedit (savs), kurse pastaj, përmes gojës së tij
fisnike dhe regjistruesve dhe hafëzëve fisnikë, na është sjellë neve në
pëllëmbë të dorës, si dhuratë nga Zoti, edhe në formë verbale edhe të shkruar.
Çështja e dytë e rëndësishme, të cilën duhet ta
kuptojmë, është se Kurani është mik me atë që shoqërohet me të, dhe atë MIK I
VËRTETË, pra, ai që kurrë nuk e tradhton, dhe i vjen në ndihmë atëherë kur të
jetë e nevojshme. Nuk ka dyshim, se leximi i Kuranit sjell bereqet në shtëpinë
tonë, me çka automatikisht e rrit pagën tonë; sjell dritë në zemrat dhe
shtëpitë tona, me çka i zmbraps shejtanët dhe sjell paqe në atmosferën
familjare; sjell pranverë në trupin tonë, me çka e qetëson dhe shëron shpirtin
dhe trupin tonë; dhe sjell udhëzime në jetën tonë, e cila dita-ditës po bëhet gjithnjë
e më e vështirë dhe më komplekse.
Mirëpo, vlera e tij do të shihet dhe ndjehet veçanërisht
në Ditën e Gjykimit. “Në Ditën kur njeriu ikën nga vëllai i tij – dhe nga
nëna e babai i tij – dhe nga bashkëshortja e fëmijët e tij.” (Abese, 34-36)
Kur njeriu do të dalë para Allahut të dashur, dhe pas tij
do të shkojnë dëshmitarët: melekët, të cilët i kanë shkruar veprat e tij,
shejtani i tij, i cili do të justifikohet se nuk është fajtor për mëkatet e
njeriut, si dhe Kurani në formën e njeriut, nëse njeriu e lexon në dynja, i
cili do të bëjë shefat dhe do t’i lutet Allahut për faljen e mëkateve të
njeriut, derisa të përfundojë gjyqi për veprat e tij.
Çështja e tretë e rëndësishme, të cilën duhet ta
kuptojmë është se, edhepse kërkohet shumë përpjekje fillestare, mësimi i leximit
të Kuranit nuk është aspak i vështirë. Krejt ajo që kërkohet, është që të
shoqërohemi rregullisht, çdo ditë me Kuranin. Natyrisht, është e rëndësishme të
lexohet edhe përkthimi i Kuranit, sepse mesazhet e tij janë më të rëndësishme
për ne se çdo gjë tjetër, por edhe vetë leximi i tij llogaritet në vepra të
mira, por, gjithsesi është shumë e rëndësishme që ta lexojmë Kuranin në origjinal
në gjuhën arabe, pasiqë në këtë mënyrë do t’i fitojmë nga 10 sevape për secilin
harf (shkronjë) të lexuar. Për shembull, vetëm për Bismilahin e lexuar, i cili ka
19 harfe, do të fitojmë 190 sevape.
Dhe derisa të mësojmë ta lexojmë Kuranin në origjinal, ne
mund t’i lexojmë, të paktën, suret e shkurtra të cilat i kemi mësuar përmendsh,
pavarësisht që ato i kemi mësuar me shkronja shqipe. Shumica e shkronjave arabe
janë të njëjta ose të ngjashme me shkronjat tona, dhe nuk ka asnjë dyshim se, për
leximin e tyre do të marrim shpërblim nga Allahu i Plotfuqishëm. Veçanërisht duhet
tu kushtohet vëmendje sureve vijuese: Surja ez-Zilzal, e cila ka vlerë sa gjysma
e Kuranit, pastaj suret el-Kafirun dhe en-Nasr, të cilat kanë vlerë sa çereku i
Kuranit, si dhe surja el-Ihlas, e cila ka vlerë sa një e treta e Kuranit.
Vëllezër të dashur! Le ta bashkojmë
të këndshmen me të dobishmen!
I lutemi Allahut të Gjithëmëshirshëm, që të na e bëjë
Kuranin shoqërues në këtë botë, bashkëbisedues në varr, shefatxhi në Ditën e
Gjykimit, mburojë kundër zjarrit të xhehenemit dhe shok në xhenet. Amin.
Përshtati: Miftar Ajdini
(Islampress)
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.