Sikurse edhe shumë herë deri më tash, edhe sivjet, muaji prill dëshmoi se është i paparashikueshëm sa u përket kushteve atmosferike. Edhe pse kanë kaluar tri javë prej se kemi shkelur në stinën e pranverës, të hënën bora i befasoi banorët e komunës së Dragashit.
Dhe, nuk ishte fjala për çfarëdo bore, por për të reshura shumë intensive që për një kohë shumë të shkurtër i zbardhën kulmet, por edhe tokën. Në fakt, kjo ishte vetëm edhe një dëshmi se dimrat në trevën e Opojës zakonisht përcillen me mjaft reshje të borës. Dimri të cilin porsa e përcollëm, në këtë trevë nuk solli edhe aq shumë reshje të borës, por, si duket, kjo po provohet “të kompensohet” në këto ditë të pranverës. Në fakt, ngjashëm ishte dhe vitin e kaluar, kur reshje të borës në Opojë kishte madje më 15 prill dhe ato kishin shkaktuar mjaft dëme, si në bujqësi ashtu edhe në infrastrukturë. Duket se kësaj here, pos befasisë që ua bëri opojanëve, nuk do të sjellë edhe dëme. Këtë së paku e thonë ekspertët e bujqësisë.
Është e vërtetë se kjo borë na ka befasuar të gjithë neve, pra edhe bujqit e komunës sonë, por, fatmirësisht, nuk presim se do të shkaktojë dëme. Megjithatë, siç pohojnë vetë bujqit, kjo borë kur kohën nuk e kishte, kur përgatitjet për mbjelljet pranverore ishin në vlugun më të madh, bile, vende-vende edhe ato mbjellje kishin filluar, mund të shkaktojë vonesën e fushatës së këtyre mbjelljeve, për shkak të lagështisë së tokës, e cila e pamundëson hyrjen e makinerisë bujqësore nëpër ara./Opoja.net/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.