Opoja.net

Yrmet Shabani nga Kosava e Opojës,arrin gradën Doktor Shkence i Psikologjisë!

Bashkëvendësi ynë Yrmet (Idajet) Shabani nga fshati Kosavë, është i doktoruari i radhës nga Opoja. Ai më 2 qershor 2022 ka mbrojtur me sukses të lartë punimin e doktoratës me titull “Përgatitja e sistemit arsimor te Republikës se Kosovës për procesin e identifikimit dhe pune me nxënësit e talentuar dhe me dhunti”. Gradën doktor shkence i psikologjisë, Yrmeti e ka arritur në Fakultetin e Pedagogjisë në Universitetin Shtetëror të Maqedonisë në Manastir. Mentore e doktoratës ka qenë prof. dr. Tatjana Atanasovska.

Dr. Yrmet Shabani është i lindur më 20 qershor 1977 në fshatin Kosavë. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje ndërsa gjimnazin në Sharr. Studimet universitare i ka kryer në Fakultetin Filozofik, Dega e Pedagogjisë në Universitetin e Prishtinës. Studimet postdiplomike i ka vazhduar në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Dega Psikologjisë, ku ka marrë titullin magjistër i Psikologjisë.

Në Universitetin Shtetëror të Maqedonisë në Manastir, ka vazhduar studimet e doktoratës dhe ka mbrojtur me sukses disertacionin e doktoratës përpara komisionit në përbërje: prof. dr. Tatjana Atanasovska, prof. dr. Ljupco Kevereski, prof. dr. Violeta Arnaudova, prof. dr. Dean Iliev dhe prof. dr. Dobri Petrovski.

Dr. Yrmeti është autor i disa punimeve shkencore dhe hulumtimeve nga fusha e psikologjisë. Gjatë vitit 2007-2008 ka ndjekur trajnime dhe kurse adekuate në Universitetin e Vjenës në Austri. Është trajnuar dhe certifikuar nga Organizata qeveritare dhe joqeveritare si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Në periudhën 2003-2006 ka punuar si arsimtar i lëndës Edukata Qytetare në Shkollën Fillore “Lekë Dukagjini” në Prizren. Në të njëjtën periudhë ka qenë i angazhuar si Pedagog ne Projektin e organizatës komunale të Kryqit të kuq të Kosovës në Prizren “Fëmijët me vështirësi të natyrave të ndryshme dhe inkuadrimi tyre në shkollat e rregullta”.
Që nga viti 2012 punon në Qendrës Burimore “Nënë Tereza” në Prizren, fillimisht si psikolog e më pas si drejtor. Dr. Yrmeti është edhe kryetar i Bordit Industrial (këshillëdhënës) të Fakultetit të Filologjisë në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren. (Demir Reshiti, për Opoja.net)

710

A mendoni se keni nevojë për të terhequr para nga trusti juaj ?

Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net