Allahu i Plotfuqishëm ka shpallur në Kuran:
“Dhe prej atyre që thanë: “Jemi të krishterë”,
kemi marrë premtimin e tyre, por edhe këta kanë harruar një pjesë nga ato që
janë këshilluar, prandaj ua shtiem armiqësinë dhe urrejtjen në mes tyre deri në
Ditën e Kiametit. Se, Allahu, me të vërtetë, di t’i lajmërojë ata për ato që
kanë punuar.” (el-Maide, 14)
Ky ajet i mrekullueshëm zbulon një nga shkaqet
kryesore të përhapjes së zilisë, ligësisë dhe urrejtjes në mes të njerëzve, që është
neglizhimi i Shpalljes së Allahut, neglizhimi i fesë dhe moszbatimi i urdhrave
dhe udhëzimeve të Allahut. Sa herë që një popull e injoron fenë e shpallur nga
Allahu, fara e zilisë dhe urrejtjes mbinë në zemrat e tyre.
Ka thënë imam Jahja bin Muadh: “Urtësia
nuk jeton në zemrën e cila ka këto tri veti: (1) ka brengën për nafakën, (2) zilinë
dhe (3) dëshirën për pozitë dhe ndikim.”
Njeriu më i përparuar është ai që më së paku
flet për njerëzit tjerë, njeriu me shpirt më të pastër është ai që ka mendimin
më të bukur për njerëzit tjerë, kurse njeriu më i mirë është ai që u ndihmon
njerëzve tjerë.
Ka thënë Ebu Sulejman ed-Darani: “Kjo
botë (dynjaja) është perde e jobesimtarëve nga Allahu, ndërsa për të dashurit (evliatë)
e Allahut është mjet që i çon tek Allahu.”
Kur i frikësohemi ndonjë njeriu, ikim prej tij,
ndërsa kur i frikësohemi Allahut dhe dënimit të Tij, ikim tek Allahu dhe
kërkojmë strehim tek Ai. Kur kemi nevojë që të kërkojmë diçka prej njerëzve,
kryesisht këtë e bëjmë me kokë ulur poshtë, ndërsa kur kërkojmë nga Allahu, e ngremë
kokën lart, përkatësisht e ngremë shikimin kah qielli.
Ka thënë Ibnul-Kajjim el-Xhevzij: “Mos
e prish gëzimin tënd me brengë, mos e prish mendjen tënde me pesimizëm, mos e
prish suksesin tënd me mashtrim, dhe mos e prish të sotmen tënde duke menduar
për të djeshmen.”
Përkthim: Miftar Ajdini
(Islampress)
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.