Jeta në këtë botë nuk është e mbuluar me trëndafila. Ne si qenie njerëzore, shpesh vuajmë për shkak të zemrës së thyer, trishtimit dhe provave. Secila nga këto situata mund të na çojë në depresion. Megjithatë, ndonjëherë nuk na duhet asnjë arsye për të qenë të dëshpëruar, dhe kur ndodh kjo, detyra jonë është të kërkojmë ndihmë. All-llahu, xhele sha’nuhu, ka shpallur Kur’anin si udhëzim për njerëzimin deri në Ditën e Gjykimit, duke na ofruar një udhëzues që mund të na ndihmojë në gjendje depresioni.
Disa sure nga Kur’ani janë veçanërisht të vlefshme dhe të rëndësishme për t’u lexuar gjatë periudhave të ankthit dhe depresionit, pasi mesazhet dhe kuptimet e tyre me ndihmën e All-llahut, mund të na lehtësojnë dhe të na largojnë gjendjet e rënda psikike.
Surja El-Inshirah – Zemërgjerësia
All-llahu, xhele sha’nuhu, krahas sures Ed-Duha – mëngjesi, shpalli edhe suren El-Inshirah – zemërgjerësia. Në të, i Madhërishmi i thotë Muhammedit, salallahu alejhi ve selem, se Ai e ka larguar dhimbjen dhe trishtimin e brendshëm që Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, që e ndjente për shkak të shpalljes së Kur’anit dhe vështirësive me të cilat ai përballej. All-llahu i Madhërishëm thekson se do ta ngritë emrin e Pejgamberit të Tij, salallahu alejhi ve selem, në të gjithë globin, dhe sot nuk kalon asnjë sekondë pa dëgjuar në ndonjë pjesë të globit fjalët e ezanit: “Eshhedu enne Muhammeden Resulullah!” (Dëshmoj se Muhammedi është i Dërguari i All-llahut).
Në suren Inshirah përmendet se pas çdo vështirësie, sa e rëndë qoftë, vjen lehtësimi. Si këshilla përfundimtare, i Madhërishmi i thotë Pejgamberit, salallahu alejhi ve selem, që kohën e pritjes deri në ardhjen e lehtësimit ta shkurtojë me adhurim ndaj Tij, dhe ky është edhe mesazhi për ne që në kohë depresioni të përpiqemi ta largojmë problemin tonë shëndetësor duke u mbështetur dhe duke e përmendur All-llahun.
Surja Jusuf
Një nga suret më të hershme të shpallura Pejgamberit, salallahu alejhi ve selem, është surja Jusuf. Bëhet fjalë për një kaptinë unike të Kur’anit, sepse pothuajse në tërësi i është kushtuar rrëfimit për një nga Pejgamberët e All-llahut – Jusufin, alejhi selam. Nga kjo sure mund të nxirren mesazhe të panumërta, dhe shumë prej tyre lidhen me mënyrat e kapërcimit të gjendjeve të vështira psikike. Le të mendojmë për mënyrën se si Jakubi, alejhi selam, dhe Jusufi, alejhi selam, u përballën me dhimbjen shpirtërore dhe vuajtjet në këtë botë, dhe si i ngriti Allahu të dy për shkak të durimit të tyre. Kjo sure u shpall edhe si ngushëllim për Resulullahun tonë, alejhi selam, dhe gjithashtu mund të na shërbejë si ilaç për depresionin!
Suret Isra’ – Ngjitja, Kehf – Shpella, Merjem, Ta-Ha, El-Enbija – Pejgamberët
Shoku i nderuar i Pejgamberit, Abdullah Ibën Mesud, radijallahu anhu, për sa i përket sureve të përmendura tha: „Ato janë ndër suret e para të shpallura dhe janë pasuria ime.“ Imam Bejhekiu në komentimin e kësaj thënieje thotë: „Ibën Mesudi flet për superioritetin e këtyre sureve, për shkak të tregimeve që ato përmbajnë për Pejgamberët dhe popujt e tyre. Ato janë ndër suret e para, të shpallura në fillim të Islamit, në periudhën e Mekes, dhe përfshihen në pjesët e para të Kur’anit që janë mësuar dhe mbajtur mend me kujtesë.“
Suret Isra, Kehf, Merjem, Ta-Ha dhe El-Enbija përmbajnë shumë tregime për Pejgamberët, popujt e lashtë, dhe veçanërisht për Benu Israilin. Secili nga këto tregime mund të na ndihmojë në shërimin e depresionit dhe ankthit, dhe të na ndihmojë ta ndjejmë fuqinë dhe madhështinë e All-llahut të Madhërishëm.
Surja Er-Rahman – Mëshirëploti
Surja Er-Rahman e përmban ndoshta përshkrimin më të theksuar dhe më të bukur si të Xhennetit, ashtu edhe të Xhehennemit. Ajo na flet për shumë prej dhuntive me të cilat na ka begatuar All-llahu. Kjo sure është qetësim për veshët, ilaç për zemrën dhe ushqim për shpirtin. Falë imazheve të saj të bukura dhe përshkrimit të Xhennetit, si dhe përmendjes së dhuntive të All-llahut, surja Er-Rahman është ilaç i mrekullueshëm për depresionin.
Surja En-Nas – Njerëzit
Shpeshherë shkaqet kryesore të depresionit janë vetëvlerësimi i ulët dhe dyshimet në aftësitë tona. Shumë nga këto gjëra përkeqësohen nga pëshpëritjet e shejtanit, i cili ka betuar se do të përpiqet të mashtrojë çdo njeri në Tokë. Megjithatë, All-llahu është Mëshirëploti më i Madh ndaj robërve të Tij dhe nuk i ka lënë vetëm. Ndër suret që janë shpallur si ilaç kundër pëshpëritjeve të shejtanit, veçohet surja e fundit e Kur’anit, En-Nas. Mësimi i shpeshtë i kësaj sure mund të na ndihmojë t’i largojmë dyshimet dhe pëshpëritjet e shejtanit, me ndihmën e All-llahut, sepse është një sure që e kërkon mbrojtjen e Allahut.
Autore: hafiza Rejhana Umer
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

