Pyetja:
Punoj te një klient, i cili ka një magazinë me produkte teknike, të cilave unë i bëj reklamë në rrjetet sociale. Mirëpo tani e kam kuptuar se disa nga këto produkte që janë të importuara nga jashtë, janë të vjedhura. A më lejohet një punë e tillë, ku detyra ime është vetëm reklamimi i produkteve në platformat digjitale?
***
Përgjigjja:
Falënderimi i takon vetëm Allahut të Lartësuar, përshëndetjet lëvdatat të Dërguarit të Tij.
Vjedhja e gjësendeve me vlerë, konsiderohet prej mëkateve të mëdha, madje për këtë mëkat të shëmtuar, parashihet ndëshkim i sanksionuar me norma sheriatike edhe në këtë botë. I Dërguari i Allahut ﷺ, kur ua merrte besatimin atyre që e pranonin Islamin, u thoshte: “Më jepni besën se nuk do t’i bëni shok Allahut, nuk do të vidhni dhe nuk do të bëni zina (kurvëri)”. [1] Gjithashtu thotë: “Allahu e mallkoftë vjedhësin”. [2]
Pastaj, dijetarët islamë konsiderojnë se vjedhësi në asnjë mënyrë nuk mund të bëhet pronar i ligjshëm i gjësendeve të vjedhura, dhe si i tillë, shitja e gjësendeve që nuk janë pronë e tij është e pavlefshme, pra, kontrata e shitblerjes nuk llogaritet e vlefshëm, përderisa shitësi i produktit nuk është pronar i plotëfuqishëm i tij. Bazuar në këtë, ty nuk të lejohet reklami i prudukteve të vjedhura, ngase me reklamimin e tyre ndihmohet vjedhësi në mëkatin e vjedhjes, gjithashtu ndihmohet realizimi i kontratave të shitblerjes të pavlefshme fetarisht.
Gjithashtu kërkohet prej teje që, në suaza të mundësive tua, ta këshillosh këtë person të largohet nga ky mëkat i shëmtuar, sepse ndoshta pendohet përmes duarve tua dhe largohet nga ky mëkat.
Allahu e di më së miri.
Hoxhë dr. Rasim Haxha
————————-
[1] Buhariu
[2] Buhariu dhe Muslimi
The post A lejohet menaxhimi i rrjeteve sociale i atyre kompanive që posedojnë produkte të vjedhura? appeared first on Pyetje dhe përgjigje nga feja islame.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.