Adil Beqaj, dizajneri i parë nga Opoja

Opoja.net Opoja.net Opoja Personazhe

Njëri ndër dizajnerët e parë të trevës sonë është edhe dizajneri i mirënjohur Adil Beqaj i cili u lind më 22.08.1972 ne fshatin Bellobrad të Opojës. Shkollën fillore e kreu në Bellobrad ndërsa të mesmen në Dragash. Që nga shkolla fillore filloi të merrej me fotografi, ku punoi si fotograf diku 10 vite. Me dizajn grafik ka filluar të merret shumë herët. Këtë profesione ushtron edhe sot. Ishte dhe mbetet njëri ndër kompjuteristët (dizajnerët) e parë të kësaj treve. Është ndër dizajnerët më të dalluar, me prirje të profesionistit që, shumë i ri filloi të punojë si dizajner në shtypshkronja të ndryshme.

Atëherë kur mbi 90% e popullatës nuk e njihnim se ç’është kompjuteri dhe si funksionon ai, dizajneri ynë nga Opoja (nga fshati Bellobrad) veç e kishte profesion punën në kompjuter. Ai filloi të punojë në gjuhën programore GW Basic si programmer në vitin 1990. Pas një viti kaloi në drejtimin e ri, si operator me kompjuter në përpunimin e tekstit dhe llogaritje tabelare – Data baza.
Si dizajner filloi të punojë që nga viti 1993, për të mos iu ndarë kurrë këtij profesioni.
Me fillimin e punës si dizajner, filloi edhe veprimtaria e tij botuese që, për nga vëllimi nuk është e madhe, po për nga rëndësia shumë e vlefshme.

Ka të botuara tri libra për punë me kompjuter: “Informatika dhe kompjuterët” – 1996; “Bazat e informatikës” – 1998 dhe “Fjalori i terminologjisë kompjuterike” – 2003 i ribotuar në vitin 2007.
Të përgatitur për shtyp ka edhe disa libra të tjerë tematika e të cilave është: Grafika, shtypi, dizajni grafik dhe fotografia.

Realizoi thyerjen teknike të qindra librave të lëmive të ndryshme letrare e shkencore, dizajnimin e kopertinave të shumë librave, dizajne të punimeve të ndryshme grafike, si plakate, emblema, posterë, reklama, ftesa të ndryshme, etj.
Punoi edhe si ligjërues i kurseve të kompjuterëve në shoqata të ndryshme të vendit dhe të huaja (para dhe pas luftës).
Për punën dhe sukseset e tij shumëvjeçare, iu ndanë edhe shumë mirënjohje e falënderime.
Mirëpo ai nuk u ndal me kaq, por u regjistrua edhe në fakultet në drejtimin: Dizajni Grafik dhe Multimedia, ku së shpejti pritet të diplomojë. Me angazhimin e tij të veçantë si dizajner arriti të afirmohet e të njihet me kuadro shumë të larta lokale e qendrore të vendit.

Përveç si dizajner, gjatë studimeve realizoi edhe shumë detyra të punës praktike si:
– një film të shkurtër me emrin “Biskota”,
– një film dokumentar për autorin dhe piktorin e njohur opojan Ibrahim Skenderin.
– Në fund të vitit 2015 punoi dizajnin e projektit “Ndotja e lumenjve dhe pastrimi i tyre”, ku u zgjodh si projekti më i mirë i grupit.
– Tani është duke u marr me realizimin e një filmi të vizatuar.
Përveç si dizajner grafik ai këtë vit (më 2015) u aftësua edhe si WEB Dizajner, ku tash e tutje merret edhe me punimin e WEB faqeve të ndryshme profesionale.
Tash punon si dizajner i pavarur në biznesin e vet privat, pasi kreu aftësimin dhe u çertifikua në drejtimin e Administrim Biznesit.


© Opoja.net. Të gjithë të drejtat e mbrojtura.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-