Bamirësia e pamerituar

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Një njeri i pasur e hapi derën e shtëpisë së tij dhe para derës e pa një njeri, në fytyrën e të cilit shiheshin gjurmët e lodhjes dhe brengave të mëdha. Ai kishte të veshura rroba të vjetra dhe të shqyera. Pasanikut i erdhi keq për të varfrin, por në të njëjtën kohë edhe kishte njëfarë dyshimi në të. E pyeti se përse kishte ardhur para shtëpisë tij dhe çka po kërkonte?

I varfri u përgjigj: “UNË JAM NJË NJERI I VARFËR I CILI KA MBETUR PA ASGJË, ANDAJ PO SHPRESOJ NË BUJARINË DHE BAMIRËSINË TËNDE.”

Pasaniku e pyeti: “Prej nga po vjen ti?”

Ai u përgjigj: “Unë vij nga një qytet që ti ndoshta nuk e di, jam duke ikur nga zullumi im. Allahu më dënoi për këtë, kështu që unë jam penduar sinqerisht. Kam qenë shumë i pasur, por nuk u kujdesa për të varfrit, as nuk kisha mëshirë për jetimët dhe borxhlinjtë. Brenga ime kryesore ishte grumbullimi dhe akumulimi i pasurisë në çdo vend dhe në çfarëdo mënyrë, madje, nëse duhej edhe duke bërë padrejtësi dhe duke u shkaktuar dëme njerëzve të tjerë.”

Pastaj e uli kokën dhe vazhdoi:

“Një ditë vendosa në kasafortën time një shumë të madhe të hollash dhe gjëra të tjera të shtrenjta. Mirëpo, Allahu deshi të më ndëshkonte, dhe mu dogjën çdo gjë që kisha nga pasuria. U detyrova ta shes tokën, në mënyrë që t’i paguaj borxhet, por kjo nuk më mjaftoi as për ta paguar gjysmën e borxhit. Pas kësaj, i dërmuar nga hidhërimi, vendosa të iki nga zullumi im, duke ju lutur Allahut që të m’i falë mëkatet dhe prapësitë e mia!”

Pasaniku në gjithë këtë heshti, nuk e foli asnjë fjalë, vetëm me dorë e fshiu lotin e madh që i rrodhi teposhtë faqeve, pastaj i tha të varfrit: “KJO ËSHTË PASURIA IME, MERR ÇKA TË DUASH DHE SA TË DUASH!”

Njeriu i varfër mendoi se pasaniku po tallet me të, por pasaniku para tij e vendosi një qese të madhe, për të cilën i varfri mendoi se aty ka hurma apo ndonjë ushqim tjetër, ndërsa në fakt, qesja ishte plot me para dhe flori. Pasaniku i tha: “MERRI DHE SHKO E FILLO NJË JETË TË RE!”

Djali i pasanikut që e kishte dëgjuar bisedën e tyre, pasi që i varfëri shkoi me një shumë të madhe parash, iu afrua babait, i cili i tha:

“O biri im, mos u befaso me këtë veprimin tim, as me atë që do të them. Dije, se sot mu kujtuan gjurmët e kamxhikut në shpinën time, që më pat goditur ky njeri. Në fakt, unë pata punuar tek ai dhe isha punëtor i vyeshëm dhe i ndershëm, por u detyrova të ikja për shkak të zullumit të tij. Dhe ja tash, Allahu e bëri që ai tani i pafuqishëm të vijë dhe të qëndrojë para meje, duke u lutur për ndihmë. Në të kaluarën, kam menduar t’i hakmerrem për abuzimin dhe padrejtësisë që ma bëri mua, por tani, pasi që e pashë në këtë gjendje, ia fala të gjitha, dhe siç e paje, i dhashë edhe para dhe ari që ta fillojë një jetë të re, duke mos dashur t’ia kujtoj ato që ai m’i bëri mua.”

Djali ishte krenar për babain e tij, pasi e kuptoi se sa shumë dhimbje dhe vuajtje i kishte shkaktuar ai njeri, por babai i tij refuzoi që të keqen t’ia kthej me të keqe, dhe padrejtësinë me padrejtësi, por ai deshi që të jetë një shembull i vërtetë i faljes atëherë kur kishte mundësi dhe fuqi për t’u hakmarrë.

Përshtati: Miftar Ajdini

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-